Arbëri

Anëtarësimi në NATO e negociatat me BE-në, para zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes

Tri garancitë që i ka kërkuar presidentja Vjosa Osmani në këmbim të zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes me Serbinë, sipas njohësve politikë do të duhej të përfshinin anëtarësimin në NATO, hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, si dhe njohjen nga pesë shtetet anëtare të bllokut. Ata vlerësuan se nuk duhet të ketë zbatim të nenit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit, pa u bërë Kosova pjesë e NATO-s

Njohës të çështjeve politike kanë vlerësuar të shtunën se anëtarësimi i menjëhershëm në NATO, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian dhe njohja nga pesëshja e BE-së, do ta arsyetonin zbatimin unilateral të marrëveshjes bazë me Serbinë, siç ka propozuar një ditë më parë presidentja Vjosa Osmani. 

Profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, ka thënë se Kosova do të mund ta merrte këtë obligim vetëm nëse ka garanci të drejtpërdrejtë për realizim të tri kërkesave.

“Këto do të nënkuptonin: anëtarësimin e Kosovës me një procedurë të shpejtuar dhe standarde në raport me NATO-n që do të konsiderohej si përmbyllëse e garancisë së sigurisë së Kosovës; një hapje e negociatave me Bashkimin Evropian dhe mundësisht përmes një procedure të shpejtë dhe standarde; dhe, në fund, që është tepër e rëndësishme, të ketë një kompletim të njohjeve nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian”, ka thënë Imeri.

Sipas tij, zbatimi i njëanshëm krahas plotësimit të këtyre kërkesave do t’ia ulte rëndësinë zbatimit të marrëveshjes edhe nga ana e Serbisë.

“Në këtë mënyrë do të relativizohej skajshmërisht rëndësia që Serbia ka në njohjen e saj në raport me Kosovën. Dhe, në këtë mënyrë do të nënkuptonte që kufiri i Kosovës me Serbinë do të ishte edhe kufiri i NATO-s me Serbinë”, thotë ai.

Një ditë më parë, presidentja Osmani e ka lënë të hapur mundësinë që Kosova ta zbatojë njëanshëm Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, në rast se ka garanci nga ndërkombëtarët se në këmbim do të përfitojë njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Megjithëkëtë, ajo ka theksuar se deri tash nuk ka pasur përgjigje konkrete lidhur me këtë qëndrim të sajin që u është përcjellë edhe ndërkombëtarëve.

“Është qëndrim vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve të tjera. E kam thënë, ka të bëjë me mënyrat të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët, edhe pse Kosova pakon e Ahtisaarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme, ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kjo është një situatë e re”, ka theksuar Osmani.

Në Qeverinë e Kosovës gjatë së shtunës nuk dhanë përgjigje nëse në këmbim të tri garancive që ka kërkuar presidentja do të pranonin zbatimin e njëanshëm të marrëveshjes.

Në kuadër të marrëveshjes bazë me Serbinë hyn edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialog, Edita Tahiri, kritikon propozimin e presidentes që nuk i ka konkretizuar kërkesat e saj për garanci, pasi që thotë se, zbatimi i marrëveshjes bazë ka pasojë edhe formimin e Asociacionit.

“Zbatimi i njëanshëm i Asociacionit të cilin e paska shmangur Osmani duke folur në përgjithësi për obligimet zbatuese të Kosovës nuk duhet të bëhet me garanci të përgjithshme të partnerëve ndërkombëtarë në siguri, por duhet qartësi, njohje apo anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, thotë ajo.

Sipas Tahirit, vetëm anëtarësimi në NATO është garanci për formim të Asociacionit.

“Kosova, përkatësisht Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë anëtarësimin e Kosovës në NATO në këmbim që Kosova ta zbatojë Asociacionin pa kompetenca ekzekutive dhe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vetëm pasi që Gjykata Kushtetuese e jep vendimin pozitiv për draftin e Asociacionit”, shprehet Tahiri.

Mirëpo, ish-ambasadori Sylë Ukshini, i cili pajtohet se Asociacioni duhet të bëhet vetëm në këmbim të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare e NATO, shprehet pesimist se BE-ja mund të ofrojë garancitë që i ka kërkuar presidentja.

“Nga praktika e deritanishme e dialogut dhe nga diskursi i BE-së në dialogun aktual, e veçanërisht pas njohjes së pasaportave të shtetit serb, si pasaporta valide edhe për territorin e Kosovës, të cilit i referohet si territor integral i shtetit serb dhe pas kërkesave për rikthimin e valutës serbe në territorin e Republikës sonë, dhe veçanërisht pas sjelljeve nervoze dhe xheloze, pas njohjes së Kosovës nga Izraeli, unë nuk besoj se BE-ja është e gatshme të japë garanci të tilla”, ka thënë Ukshini.

Për qëndrimin e presidentes Osmani, KOHA ka adresuar pyetje në Bashkimin Evropian dhe në Zyrën e BE-së dhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, por nuk ka marrë përgjigje.