Arbëri

Andoni: Përçarja Evropë – SHBA mund të ndërlikojë situatën për Kosovën

Analisti politik Ben Andoni

Analisti politik Ben Andoni ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me sfida të mëdha nëse ndodh reduktimi i forcave amerikane në Evropë, ashtu siç paralajmëroi të premten sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Pete Hegseth, në një konferencë shtypi në Varshavë.

Ai ka theksuar se prania e SHBA-së në KFOR ka qenë faktor kyç në parandalimin e tensioneve dhe veprimeve ushtarake nga Serbia.

“Skenari i zvogëlimit të forcave amerikane do të trimëronte Serbinë për të vepruar. Autoriteti i KFOR-it ka qenë vendimtar në menaxhimin e krizave në veri, duke penguar edhe kërcënime të drejtpërdrejta ushtarake nga Serbia. Nëse SHBA-ja redukton numrin e trupave, për Kosovën do të ketë ditë të vështira”, ka thënë Andoni në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij, vendet e tjera nuk kanë peshën dhe ndikimin e SHBA-së për të ndërhyrë fuqishëm në rast tensionesh.

“Nuk mjafton të zëvendësohen trupat amerikane me po them forcat nga Shqipëria apo ndonjë vend tjetër. Askush nuk ka autoritetin e SHBA-së për të negociuar përmes forcës. Vendet e tjera e bëjnë vetëm përmes diplomacisë”, ka deklaruar Andoni.

Andoni shprehu shqetësimin për pasigurinë në lidhje me qëndrimin e administratës së Donald Trumpit ndaj Kosovës.

“Ende nuk ka indikacione të qarta për qasjen që SHBA-ja do të ketë ndaj rajonit. Ajo që dimë është se Trump e sheh Evropën ndryshe nga administratat e mëparshme, dhe kjo mund të ndikojë edhe në raportet me Kosovën”, ka shtuar ai.

Ai përmendi gjithashtu ndikimin e luftës në Ukrainë dhe përçarjet Evropë - SHBA si faktorë që mund të krijojnë një situatë edhe më të ndërlikuar për Kosovën.

“Nëse KFOR-i nuk do ta ketë vendosjen siç e ka pasur më përpara, besoj që jemi para problemeve të mëdha”, ka paralajmëruar analisti.

Andoni ka theksuar se situata globale po ndryshon, duke u larguar nga një rend botëror i dominuar nga SHBA-ja në një sistem shumëpolar, ku vende si Rusia, Kina, India dhe Brazili po fitojnë më shumë ndikim.

“Sot, SHBA-ja po i dorëzohet faktit që bota nuk është më unipolare. Ka hapësira për Rusinë, Kina po pret momentin e vet, dhe fuqitë ekonomike në zhvillim mund të diktojnë rregulla loje të reja”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, ai e sheh Evropën pa një strategji të qartë për sigurinë e saj.

“Macroni është i vetmi lider evropian që ka paralajmëruar se Evropa duhet të forcojë mbrojtjen e saj dhe të ketë një ushtri të pavarur”, ka deklaruar Andoni.