Arbëri

Analistët s’presin qeveri të qëndrueshme, kërkohet kompromis i madh

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri stabile e cila shpreson se do të formohet javën e ardhshme. Por analistë në Kosovë vlerësojnë se nuk mund të ketë qeveri të qëndrueshme për shkak të qëndrimeve të kundërta të partive politike të cilat nuk bashkëpunojnë mes vete. Në Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse kanë arritur t’i sigurojnë votat për kryetarin e Kuvendit dhe për Qeverinë.

Një qeveri e qëndrueshme është ajo që i duhet Kosovës në situatën aktuale gjeopolitike, ka thënë amabasadori gjerman, Jorn Rohde, tek ka folur për formimin e qeverisë së re.

Rohde, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se shpreson që deri në javën e ardhshme Kosova të formojë Ekzekutivin.

“Më e rëndësishmja është që të kemi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë të mirë dhe konsensus për të formuar qeverinë e re. Dhe kështu po shoh drejt Gjermanisë. Shpresojmë të formojmë një qeveri deri javën e ardhshme. Dhe mendoj se është e vetëkuptueshme...Veçanërisht në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, ajo që është në interes të vendeve dhe të popujve është të kenë qeveri të qëndrueshme”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, me rezultatet aktuale dhe me rreshtimet krejtësisht të kundërta të subjekteve politike, analisti Artan Muhaxhiri nuk pret që mund të ketë qeveri stabile.

“Është e pamundshme që kryeministri Kurti të krijojë një qeveri të re dhe stabile. S’ka potencial dhe mundësi realiste për ta bërë këtë. Në fakt, ai përveç, një kompromisi të madh që mund ta bëjë me Nismën, asnjë mundësi tjetër nuk e ka që të qëndrojë në pushtet. PDK, LDK dhe AAK në asnjë mënyrë nuk po dëshirojnë që të bashkëpunojnë me të. Prandaj, e vetmja rrugë është bashkëpunimi me Nismën ose kalimi në opozitë”, u shpreh Muhaxhiri.

Koha ka dërguar pyetje në Nismën Socialdemokrate nëse kanë marrëveshje me Vetëvendosjen për formimin e qeverisë së re, por nuk kanë kthyer përgjigje në këtë parti.

Kanë mbetur më pak se dy ditë kohë që Lëvizja Vetëvendosje të sigurojë votat për kryetarin e Kuvendit, i cili duhet të propozohet nga ajo në seancën konstituive të së martës.

Madje kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar se në seancën e njëjtë synojnë ta bëjnë edhe votimin për formimin e Qeverisë.

Por përveç refuzimit prej disa ditësh të Kurtit për t’u deklaruar, as në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse i kanë siguruar votat e as nëse kanë vendosur për emrin e kryeparlamentarit.

Në një deklaratë për Kosova Press, deputeti nga radhët e Guxo, pjesë e listës së LVV-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se Qeverinë e formon Vetëvendosje, por pa përmendur se kush do t’ua bëjë votat e nevojshme.

Ka shtuar se e kanë mbështetjen e pakicave joserbe, votat e të cilave nuk janë të mjaftueshme.

“Mendoj se në këtë drejtim jemi gati të pajtuar dhe ata janë shumë pro vazhdimit të punëve të mira të qeverisë Kurti. Diskutimet, të cilat kanë dalë nga Duda Balje apo Rasim Demiri dhe Emilia (Rexhepi) janë kërkesa legjitime që ne i respektojmë. Në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve tona, ne do të mundohemi të gjejmë zgjidhje për të gjitha kërkesat”, ka deklaruar Avdyli.

Seanca e së martës mund të zvarritet pa afat, nëse pas betimit të deputetëve Lëvizja Vetëvendosje nuk e propozon kandidatin për kryeparlamentar.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit bëhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, 61 sosh.

Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.