Politologu Ognjen Gogiq ka kritikuar Bashkimin Evropian se e ka lënë në gjysmë punën e draftit të Asociacionit. Sipas tij, BE-ja është dashur të jep afate për zbatimin e tij. E analisti nga Shqipëria, Akri Çipa, ka fajësuar BE-në se po mundohet të vendosë Asociacionin mbi çdo temë tjetër në tryezën e dialogut
Bashkimi Evropian është kritikuar për qasjen ndaj formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga njohës të zhvillimeve politike në vend.
Pak muaj pasi ofroi një draftstatut për formimin e tij, nga BE-ja Asociacioni është konsideruar çështje e brendshme e Kosovës. Një qëndrim i tillë, që u vlerësua se është përpjekje për të nxjerrë Serbinë në pozicion më të favorshëm, ka bërë që kryeministri Albin Kurti për herë të dytë të ofrojë hartimin e këtij drafti.
Sipas politologut Ognjen Gogiq, zhvillimet e fundit e kanë çuar procesin në një rrugë pa krye.
“Mendoj se ky proces nuk po shkon askund. Ajo kishte hyrë në një rrugë pa krye dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk mundën të bënin shumë për ta nisur atë. Në këtë aspekt, nuk mendoj se deklaratat e fundit të kryeministrit Kurti janë veçanërisht të rëndësishme. Ai në fakt po tallet me BE-në”, ka thënë ai.
Sipas Gogiqit, ndonëse BE-ja ia ka prezantuar Qeverisë së Kosovës draftstatutin e Asociaiconit, blloku evropian nuk e ka idenë se si të vazhdojë me nismën.
“Ata nuk caktuan asnjë afat kohor apo afat për zbatimin e tij. Qeveria e Kosovës mund të vazhdojë ta lexojë draftin për një kohë të pacaktuar. Për më tepër, mund ta paraqesë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Deri në kohën kur Gjykata të përfundojë shqyrtimin e draftit, BE-ja nuk do të ketë më fokus në dialog. Për më tepër, duket se të gjithë e kanë harruar faktin se pala serbe ndoshta do ta refuzonte draftin vetëm për të penguar procesin”, ka deklaruar ai. Siç u shpreh ai, as në Beograd e as në Prishtinë nuk ka vullnet politik “për të ecur përpara me procesin”.
E analisti Akri Cipa ka vlerësuar se emisari Miroslav Lajçak është duke u përpjekur që në qendër të dialogut Kosovë-Serbi ta rivendosë Asociacionin.
“Të mos harrojmë se ka një dakordësi të re ndërmjet palëve dhe një angazhim të qartë të liderëve të vendeve kryesore të BE-së, për ta tejkaluar atë moment të dialogut të mbajtur peng nga asociacioni. Përpjekja e zotit Lajçak për ta qendërzuar përsëri dialogun te kjo pikë shkon kundër vetë objektivit të deklaruar për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe normalizim të plotë, ndërmjet marrëdhënieve të dy vendeve”, ka thënë ai. Ka shtuar se qëndrimi i Kurtit për të hartuar një draft të ri të statutit të Asociacionit nuk duhet të shihet si ndryshim i politikës së tij në qasjen ndaj dialogut.
Por, analisti nga Shqipëria, është shprehur se Qeveria e Kosovës ka mundur të menaxhojë më mirë çështjen e hartimit të draftstatutit të Asociacionit.
“Padyshim, Kosova ka pasur mundësinë për ta menaxhuar më mirë të gjithë këtë situatë. Në fakt, Serbia ka përfituar mjaft diplomatikisht, por edhe nga pikëpamja e presionit të munguar ndërkombëtar, për shkak të hezitimit të mëhershëm të Kosovës dhe të paqartësisë me të cilën e ka adresuar atë. Gjithsesi, asociacioni nuk është thjesht një pikë që duhet dakordësuar dhe implementuar në mënyrë automatike”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe nëse statuti hartohet brenda kritereve të legjislacionit e Kushtetutës së Kosovës, implementimi “duhet të ndërmerret vetëm në finalizimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve”.
“Çdo implementim i mëhershëm thjesht do të rrisë pretendimet serbe, aq më shumë kur zyrtarisht Serbia vazhdon refuzimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, nga partia në pushtet arsyetojnë qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklarimin për hartimin e një draft statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Deputeti i Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca, në emisionin “60 minuta” të KTV-së, ka thënë të hënën, se për orientim kanë që të minimizojnë gabimet që janë bërë me marrëveshjet e 2013-s e të 2015-s.
“Interesi kombëtar i Republikës sonë është që të gjitha ato dyshime, probleme... ose i gjithë potenciali, që shihet se mund të përkthehet tutje në problem për mirëfunksionimin e rendit tonë kushtetues në të ardhmen, e rendit tonë ligjor.. ato t’i adresojmë me kujdes dhe të shohim se si mund ta krijojmë arkitekturën e nevojshme institucionale e cila del prej këtyre marrëveshjeve, që janë arritur por që nuk e prekin në mënyrë substanciale mirëfunksionimin e institucioneve të Republikë sonë”, ka thënë ai.
Deputeti Gjyshinca ka pohuar se nuk e ka parë draftstatutin e Asociacionit e propozuar nga Bashkimi Evropian, por se si deputetë janë informuar mbi përmbajtjen e tij.
“Është kërkuar nga pala jonë, në Bruksel, që ky draft të mbetet konfidencial. Mendoj se kanë bërë mirë që e kanë mbajtur konfidencial. Ka qenë kërkesa e ndërmjetësuesve dhe ne e kemi mbajtur fjalën. Kemi pasur takime me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin. Jemi informuar në lidhje me atë se çfarë është përmbajtja në detaje, por nuk mund të them se e kam parë dokumentin”, ka thënë ai.
Kryeministri Albin Kurti ka ofruar që të hartojë draftstatutin e Asociacionit edhe në takimin e zhvilluar në Ohër në mars të këtij vitit, por sipas tij, këtë ofertë nuk e ka pranuar Serbia.