Të hënën do të bëhen bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup. Sipas njohësve të çështjeve politike, takimi do të fokusohet në hapat që janë ndërmarrë në integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por nuk do të mungojë as presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë për rikthimin në dialog.
Liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen të hënën në Shkup, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”.
Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, e prezentë do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas njohësve të çështjeve politike, takimi do të jetë i fokusuar në hapat që janë ndërmarrë në integrimin në BE, por edhe do të shfrytëzohet rasti që të rritet presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’iu kthyer tavolinës së bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
“Që të dëshmohen sa ma konstruktivë në procesin e dialogut se kjo bllokadë është e rëndësishëm edhe për partnerët ndërkombëtarë, mendoj që simbolika kryesore do të jetë presioni që liderët të kthehen në bisedime dhe të dëshmohen sa më pozitive pasi rreziqet edhe të sigurisë janë shumë të mëdha nëse vazhdohet me këtë status-quo”,m tha njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri.
Kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të flasë të dielën për këtë çështje.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritan Hoti, thekson se nëse shtrohet kërkesa për rikthim në dialogu, Shqipëria dhe Kosovë duhet të jenë unifikuese për këtë çështje.
“Sa i përket takimit të nesërme nëse parashtrohet kërkesa për rikthimin në dialog, po në këtë kontekst duhet të jenë të dyja vende në një qëndrim unifikues, ndërsa në lidhje me ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre ligjorë, institucional e ekonomik në integrimin ne Bashkimit Evropian, kjo nuk varet as nga Kosova e as nga Shqipëria”, tha Hoti.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Vlera e ndarë nga BE-ja për tre vjetët e ardhshëm për të zbatuar këtë plan është 6 miliardë euro.
Shtetet e Bashkuara në këtë takim do të përfaqësohen prej ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien.