Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të nxjerrë mësime nga takimi Trump-Zelensky, vlerësojnë njohës të politikës ndërkombëtare. Ata thonë se qeveria e re duhet të tregohet e përgjegjshme në raport me aleatët, e sidomos me SHBA-në
Kosova duhet të nxjerrë mësime nga takimi ndërmjet presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky, që t’i trajtojë me seriozitet kërkesat e administratës amerikane, kanë vlerësuar të shtunën njohës politikë.
Analisti Arbnor Sadiku ka thënë se Kosova nuk do të kalojë e paprekur nga politika e re amerikane. Sipas tij, tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo edhe ajo e korrigjimit të kufirit me Serbinë, mund të jenë çështje që do t’i vihen në tavolinë qeverisë së re të Kosovës.
“Sigurisht që Kosova duhet të ketë parasysh rastin e Ukrainës që në formën e saj t’i përgjigjet kërkesave të Administratës Trump. Aktualisht ne ose do ta zbatojmë këtë Asociacionin e komunave me shumicë serbe që është një marrëveshje që pret për t’u zbatuar, ose do të kemi fatin siç duket të këtij korrigjimit të kufijve siç ka qenë një ide e mëhershme e zotit Trump dhe administratës së tij”, ka thënë ai.
E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, thotë se megjithëse Kosova nuk e ka pozitën e njëjtë me atë të Ukrainës, duhet të jetë e matur dhe e përgjegjshme në raportet e saj diplomatike.
“Kosova duhet të jetë mjaft e përgjegjshme në raport me sendërtimin e komunikimeve politike e diplomatike. Njëkohësisht, duhet të jetë aktive në raport me ato prioritete të harmonizuara me partnerët, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por edhe me vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Edhe njohësi tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Agon Maliqi thotë se një nga mësimet që Kosova duhet ta nxjerrë nga takimi Trump-Zelensky, është të mos bëjë gabime diplomatike.
“Beteja e Ukrainës sot është ekzistenciale. Ndërkohë beteja e Kosovës është që të mos bëjë gabime të panevojshme diplomatike që mund t’i kthejnë fitoret e së djeshmes në humbje. Zelensky është hero modern ukrainas dhe evropian, por adoleshentët tanë të papjekur politikë rrezikojnë t’i projektojnë në kontekstin tonë të ndryshëm disa mësime të gabuara”, ka shkruar ai ne “Facebook”.
E, Çipa ka theksuar se Kosova nuk e ka luksin e humbjes së mbështetjes së asnjë partneri perëndimor dhe aq më pak të Shteteve të Bashkuara. Edhe ai ka numëruar disa mësime që duhet të nxirren.
“Diplomacia ka gjithmonë sfidat e saj, prandaj nuk duhet parë vetëm në kontekstin e një administrate të caktuar. E rëndësishme është që të kuptohet qasja përcaktuese e secilës, mbi të gjitha kur kemi një administratë aktuale amerikane e cila është mjaft transparente për objektivat e ndryshuara dhe të ripërcaktuara në politikën e jashtme. Nga ana tjetër për Kosovën është intensifikimi i kontakteve me vendim-marrës amerikanë të të gjitha niveleve, duke shfrytëzuar sa platformat zyrtare diplomatike, aq edhe faktorë të ndryshëm jo-zyrtarë të cilët mund të garantojnë akses dhe dëgjesë të prioriteteve të Kosovës”, ka thënë Çipa.
Mostrajtimi me seriozitet i kërkesave potenciale nga administrata amerikane, analisti Sadiku thotë se do të përcillet me pasoja politike, ekonomike e të sigurisë. Sipas tij, administrata Trump do të përdorë çdo gjë që ka në dorë për të kushtëzuar arritjen e qëllimeve të SHBA-së.
“Kushdo që të jetë kryeministri i ardhshëm pas këtyre zgjedhjeve, që të arrihen le të themi këto matematika postelektorale, do ta kemi më të vështirë qeverisjen për faktin që z. Trump është i prerë dhe kushdo që nuk i zbaton ose le të themi, nuk është praktik në kërkesat e SHBA-së, janë pastaj edhe sanksionet ekonomike dhe dëmet e tjera që mund t’i shkaktojë SHBA-ja. Mendoj që sidomos fusha e sigurisë preket shumë dhe investimet e tjera që kanë qenë përmes fondeve që ka dhënë”, është shprehur ai.
Të premten, SHBA-ja dhe Ukraina nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshjen për minerale ukrainase, pasi presidenti amerikan Trump e akuzoi atë ukrainas, Zelensky se me qëndrimet e tij shprehu mosmirënjohje për ndihmën e deritanishme amerikane dhe e përzuri nga zyra ovale.