Arbëri

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri: Taksa rrugore prej 5 euro është e shtrenjtë

Sot ka nisur të implementohet nga autoritetet e Shqipërisë tarifa rrugore për shfrytëzuesit e “Rrugës së Kombit”. Ndonëse ishte paralajmëruar nga banorët e Kukësit një protestë prej orës 11.00, ajo nuk është mbajtur.

Në vendin ku ka filluar inkasimi i taksës rrugore kishte dalë Sylë Ukshini, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, i cili ka thënë se sot ka parë nga afër zhvillimet e fundit për implementimin e vendimit të autoriteteve shqiptare për taksën rrugore në “Rrugën e Kombit”.

Ai mendon se taksa rrugore për qytetarët e Kosovës, të cilët shfrytëzojnë këtë rrugë është e shtrenjtë, transmeton kp.

“Është një vendim autonom, të cilin ne do e respektojmë. Mirëpo, mendoj se analiza më e saktë, me e qëlluar, më e pa anshme do të bëhet në javët dhe muajt e ardhshëm dhe të shihet si do të reflektohet kjo në fluks, të bizneseve dhe qytetarëve... Për qytetarët e rëndomtë, për njerëzit që shfrytëzojnë këtë rrugë për çështje shëndetësore të përditshme është e lartë. Por premtimi ka qenë që njerëzit që do të përdorin në vajtje-ardhje më të shpeshta do të ketë zbritje dhe unë mendoj se duhet të ketë zbritje, sepse 5 euro është taksë e lartë”, ka thënë Ukshini.

I pyetur se a do të aplikojë edhe Kosova taksa rrugore për autostradën Morinë-Prishtinë, Ukshini tha se për momentin nuk ka ndonjë vendim.