Marrëveshja e arritur në Bruksel për targat është vlerësuar nga ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen. Gjatë një vizite në Prizren ai ka shprehur qëndrimin se tani tensionet në veri duhet të ulen ashtu që dialogu të vazhdojë në mënyrë më produktive.
Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen ka vlerësuar marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë për çështjen e targave, duke shprehur bindjen se ky zhvillim duhet të ndikojë në uljen e tensioneve në veri të vendit. Ai ka pohuar se në këtë mënyrë janë krijuar mundësitë për dialog më produktiv mes palëve.
“Jam shumë i lumtur që mbrëmë është arritur marrëveshja në Bruksel, dhe shpresoj se do të ulen tensionet gjatë këtyre ditëve dhe që dialogu do të mund të vazhdojë në mënyrë produktive në të ardhmen për të arritur rezultate të mira”, ka thënë Nissinen gjatë një vizite në Prizren.
të njëjtën kohë ai ka shprehur mbështetjen e plotë për përfaqësuesin e BE-së që ndërmjetëson procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Si përfaqësues i Finlandës mbështes në tërësi rolin lehtësues të BE-së në procesin e dialogut dhe besoj se do të mund të presim rezultate të mira në këto bisedime”, ka shtuar Nissinen.
Diplomati finlandez gjatë një vizite në Prizren ka takuar kryetarin Shaqir Totaj, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e mundshëm në sferën e arsimit, por edhe çështje tjera të nivelit lokal.
Të mërkurën mbrëma në Bruksel, palët janë marrë vesh për dy zotime: Kosova të mos vazhdojë me zbatimin e masave të parapara ndaj ngasësve të automjeteve me targa ilegale, e Serbia të mos lëshojë më targa të tilla.