Arbëri

Ambasadori finlandez: Është e rëndësishme të formohen sa më shpejt institucionet në Kosovë

Ambasadori i Finlandes ne Kosove, Matti Nissinen

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, në një intervistë për “KosovaPress”, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të formohen institucionet sa më shpejt në Kosovë. 

Në tentimin e tretë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit,  Lëvizja Vetëvendosje dështoi dy herë radhazi ta zgjedhë Albulena Haxhiu si kryeparlamentare të shtunën.

Kësisoj, seanca u shty sërish për 48 orë. Seanca do të vazhdohet të hënën nga ora 15:00.

“Së pari, vërtet shpresoj që formimi i institucioneve – institucione funksionale – të ndodhë sa më shpejt. Mendoj se jetojmë në një situatë globale ku zhvillimet e reja nuk ndalen. Ato nuk presin gjatë që gjërat të formohen. Gjithashtu, reformat që janë të nevojshme këtu në Kosovë duhet të jenë në gjendje të ecin përpara. Prandaj mendoj se sa më shpejt, aq më mirë. Të kemi një qeveri të re dhe një Kuvend të ri të formuar do të ishte më e mira për popullin e Kosovës”, tha Nissinen. 

Ambasadori finlandez ka folur edhe për sfidat gjeopolitike në Evropë dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë. 

Ai vlerëson lart praninë e KFOR-it në Kosovë, duke kujtuar kontributin e Finlandës me mbi 7,500 paqeruajtës finlandezë gjatë viteve. Sipas tij, KFOR-i mbetet një faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

“Nëse e shikoj nga këndvështrimi i vendit tim, Finlandës, ne kemi qenë të angazhuar në KFOR që nga fillimi. Dhe jemi shumë krenarë që kemi qenë pjesë e këtij operacioni të rëndësishëm. Në total, rreth 7,500 paqeruajtës finlandezë kanë shërbyer në KFOR ndër vite. Kështu që ne e vlerësojmë shumë rëndësinë e këtij operacioni. Mendoj se edhe sot KFOR-i ka një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë, duke përmbushur mandatin e tij operacional së bashku me entitete të tjera – me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit, sipas mandateve të tyre përkatëse si përgjegjës të sigurisë”, tha Nissinen.

Evropa po përballet me një valë të re sfidash, ku vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s po e rishikojnë strategjitë e tyre të mbrojtjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Mendoj se është në interesin më të mirë të gjithëve, si individualisht ashtu edhe kolektivisht, që të jemi vigjilentë në këto kohë... Ky ka qenë një debat i gjatë në Evropë, dhe mendoj se kjo lidhet gjithashtu me çështjen e gatishmërisë dhe marrjen e përgjegjësisë për sigurinë tonë. Kam parë komentet e udhëheqësve tanë politikë në Evropë, dhe besoj se ka një konsensus të fortë që Evropa duhet të rrisë përpjekjet dhe kapacitetet e saj, dhe kjo përfshin edhe kapacitetet mbrojtëse. Mendoj se është ndër prioritetet më të mëdha në shumë vende evropiane për momentin”, thotë ai. 
Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht arkitekturën e sigurisë në Evropë. Kjo krizë ka nxjerrë në pah nevojën për unitet ndërkombëtar, respektimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të pavarura. Konflikti ka shkaktuar pasoja të thella politike, ekonomike dhe humanitare – jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë kontinentin.

Për vendet si Finlanda, e cila ka ndjekur një linjë të qartë përkrahëse ndaj Ukrainës dhe është tani anëtare e NATO-s, ruajtja e stabilitetit evropian dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse janë bërë prioritete strategjike. Lufta ka bërë që shumë vende të rishikojnë politikën e tyre të jashtme dhe të investojnë më shumë në sigurinë kolektive dhe në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Evropë.

Derisa flet për rëndësinë e përfundimit të luftës, ambasadori Matti Nissinen thotë se paqja duhet të jetë e qëndrueshme dhe të ruajë sovranitetin e Ukrainës. Thekson domosdoshmërinë që të përfshihen elementë të qartë për respektimin e rendit ndërkombëtar.

“Paqja duhet të arrihet në Ukrainë. Pyetjet e mëdha janë kur dhe si. Ne kemi theksuar gjithmonë që paqja duhet të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë, e cila merr parasysh pavarësinë e Ukrainës, sovranitetin e saj dhe respektimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Këto janë disa nga elementet që duhet të jenë në vend kur, shpresojmë, të arrihet paqja. Ka shumë elemente për të cilët mund të flasim kur flasim për paqen. Ka disa faza në këtë proces, si të arrihet armëpushimi, cilat janë elementet e negociatave të paqes dhe, në fund, cila është zgjidhja përfundimtare e negociatave për paqen. Por do të doja të theksoj fort faktin se duhet të jetë një zgjidhje apo marrëveshje paqeje që përfshin fuqishëm interesat e Ukrainës dhe sovranitetin e saj”, thotë ai.

Nissinen ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Finlandës.

Ai ka treguar për vizitën zyrtare të presidentes Vjosa Osmani në Finlandë, ku pritet të diskutohen tema si siguria evropiane, bashkëpunimi ekonomik dhe rritja e tregtisë mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera. Janë jashtëzakonisht të ngrohta dhe të thella, dhe datojnë shumë vite më parë. Jam shumë i lumtur që mund të ndërtoj mbi këtë themel të mirë që kemi. Një shembull që e thekson më tej këtë marrëdhënie të shkëlqyer dypalëshe do të jetë në fakt javën e ardhshme, kur presidentja Osmani do të vizitojë Finlandën për një vizitë pune. Kjo është një mundësi tjetër për ne që të thellojmë më tej marrëdhënien dhe të kemi rezultate konkrete nga kjo vizitë. Mendoj se është një mundësi e shkëlqyer, për shembull, për të folur për çështje urgjente të sigurisë evropiane, për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik, dhe si të rrisim tregtinë mes dy vendeve tona. Ka shumë gjëra për të cilat presidentët tanë mund të bisedojnë javën e ardhshme, dhe jam shumë i entuziazmuar për këtë ngjarje të nivelit të lartë që do të ndodhë”, thotë ambasadori Matti Nissinen.