Urdhri që kryeministri Albin Kurti ia ka dhënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të zbatuar vendimin e Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit është vlerësuar vendim i guximshëm nga ambasadorët e akredituar në Kosovë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se zbatimi i vendimit të Kushtetueses demonstron edhe angazhimin për sundimin e ligjit.
“Përshëndes vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit, i cili demonstron guxim politik dhe angazhimin e saj për sundimin e ligjit”, thuhet në reagimin e tij në rrjetin social X.
Vendimin e ka mirëpritur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeffrey Hovenier. Nëpërmjet një postimi në , Hovenieri ka thënë se ky vendim demonstron përkushtimin e Kosovës për të ruajtur sundimn e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
“Siç tha sot në mëngjes zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit ishte një hap i domosdoshëm dhe falënderojmë liderët kosovarë për përpjekjet e tyre për ta çuar këtë përpara”, ka thënë Hovenier.
Me vlerësim të njëjtë është deklaruar edhe Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog. Ai ka shkruar në platformën X se ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së.
“Një ditë e mirë për sundimin e ligjit në Kosovë! Zbatimi i shumëpritur i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit & regjistrimi i tokës së manastirit më në fund bëhet realitet”, ka shkruar Szynyog.
Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka quajtur moment historik vendimin për prinat e Manastirit të Deçanit.
“Më në fund u bë. Edhe pse zbatimi i vendimit të Gjykatës së Kushtetues ishte shumë i vonuar, shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit. Ne uroijmë qeverinë e Kosovës, të gjithë akterët politkë të përfshirë dhe Manastirin e Deçanit në këtë moment historik”, ka shkruar në X ambasadori gjerman.
Vendimin e kanë përshëndetur edhe shefi i EULEX-it, Pietro barbano dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndryshe nga mbështetja ndërkombëtare, zbatimi i vendimit të Kushtetueses është kundërshtuar nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosja. Ai e ka cilësuar këtë si goditje ndaj Komunës.
“Deçani përsëri goditet padrejtësisht, kësaj radhe nga një Urdhër Ekzekutiv i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti! Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua “Zona e Veçantë e Mbrojtur”, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në: ndërtimin e rrugës; ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; në ndalimin e shfrytëzimit të ‘Pushimores së Fëmijëve’; e ndaloi plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone”, ka thënë Ramosaj nëpërmjet kësaj komunikate.
Kundër u shprehën edhe një numër deputetësh opozitarë.