Me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave” është hapur “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.
Në nisjen e kësaj jave, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe dhe asaj të Zvicrës, të cilët patën disa porosi për organet e drejtësisë, raporton KTV.
Ata kërkuan nga to që të punojnë shumë për luftimin e korrupsionit, kthimin e pasurisë së fituar paligjshëm të zyrtarëve shtetëror te qytetarët, si dhe t’i mbrojnë viktimat e dhunës në familje.
“Korrupsioni nuk është vetëm çështje etike, por prek në mënyrë sistematike në jetën e njerëzve. Kosova deri tash ka pasur sukses të kufizuar në sanksionimin e rasteve të korrupsionit. Pra, e kemi një numër të vogël të konfiskimit të pasurisë, zyrtarët përfitojnë nga pasuria e përfituar nga krimi. Është imperativ që pasuria e vjedhur apo e fituar në mënyrë të paligjshme duhet të konfiskohet, dhe t’iu kthehet qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Katarina Stoker, përfaqësuese nga ambasada e Zvicrës në Kosovë.
“Duhet kurajë dhe vendosmëri për të raportuar një krim pas përjetimit traumatik. Procedurat e ndërlikuara gjyqësore mund të jenë barrë për viktimën dhe kjo veçse e shton traumën. Duhet që të kuptojmë se duhet forcë për të raportuar një rast të krimit dhe duhet po ashtu të kuptojmë se kjo nuk mjafton. Sistemi gjyqësor, po ashtu, duhet të mundësojë që kur viktima raporton një rast, ata e marrin edhe mbrojtjen që iu duhet”, ka thënë Nicholas Giacobbe, zëvendësambasador i SHBA-së në Kosovë.
E kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ndonëse e vlerësoi punën e Prokurorisë, e cila, sipas tij, të drejtat e viktimave i ka prioritet, tha se moszbulimi dhe mosndëshkimi i kryerësve të krimeve, rrezikon përsëritjen e krimit.
Kështu, Lumezi e pa të nevojshëm profilizimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për efikasitet të sektorit të drejtësisë.
Angazhim të madh në këtë drejtim premtoi edhe Basri Kastrati, menaxher i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave.
Kjo është hera e dhjetë me radhë që organizohet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.