Ambasada amerikane është tërhequr të premten nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve.
KOHA ka raportuar mbrëmë se KPK-ja ka mbetur pa tre anëtarë. Ata kanë dhënë dorëheqje, në prag të shpalljes së konkursit për kryeprokurorë të Prokurorive Themelore në Kosovë. Zejnullah Gashi nga Peja, Dëshirë Jusaj nga Gjakova e Arben Ismajli nga Gjilani kanë paraqitur dorëheqjet e tyre të enjten, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial, e cila është mbajtur përmes platformës ZOOM.
Burime të KOHËS kanë thënë se prokurorët po planifikojnë që të konkurrojnë për pozitat e kryeprokurorëve në tri prokurori. Kryeprokurorët zgjidhen nga Këshilli Prokurorial, trup nga i cili janë dorëhequr anëtarët.
Përmes një reagimi të ashpër ndaj këtyre dorëheqjeve, ambasada ka kritikuar mungesën e transparencës dhe konfliktin e interesit.
“Për vjet me radhë, ambasada amerikane ka luajtur rol monitorues dhe mbikqyrës në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese janë rrënjësisht të prishura. Atyre u mungon transparenca dhe i ekspozohen gjithnjë e më shumë konfliktit të interest”, shkruhet në reagimin e Ambasadës amerikane.
Sipas ambasadës, teksa vazhdimi i pjesëmarrjes në këtë proces do të mund të “keqinterpretohej si përkrahje e këtij sistemi të prishur, ne nuk do të marrim më pjesë në të”.
“Prokurorët duhet të zgjidhen mbi bazën e kualifikimeve të tyre, jo përkatësive politike apo lidhjeve. Ndërrimet në kornizën ligjore të KPK-së janë të domosdoshme për kthimin e transparencës dhe drejtësisë në këtë sistem. Rrjedhimisht, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbështesin përpjekjet e Ministrit të Drejtësisë që ta përmbyllin menjëherë Rishikimin Funksional”.
Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, i kontaktuar nga KOHA, nuk ka dashur të komentojë.