Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë se procesi për përzgjedhjen e zyrtarëve gjyqësorë, përfshirë kryeprokurorin e shtetit, duhet të jetë i drejtë dhe i bazuar në merita.
Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada ka thënë se pozicioni i SHBA-së për këtë proces nuk ka ndryshuar.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen tonë të vazhdueshme për sistemin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ne vazhdimisht kemi theksuar se procesi për përzgjedhjen e zyrtarëve gjyqësorë, përfshirë Kryeprokurorin e Shtetit dhe shefat e prokurorive, duhet të jetë i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita. Ky pozicion nuk ka ndryshuar”, thuhet në përgjigje.
Një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e zgjodhi Blerim Isufajn për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk do ta dekretojë këtë emër.
Në një konferencë për media të martën, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.