Arbëri

Ambasada e Kosovës në Holandë, me fushatë për heqjen e vizave

Kosova - Bashkim Evropian

Edhe pse procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka hyrë në fazën përfundimtare, institucionet e Kosovës nuk janë parë deri tash aktive në bindjen e shteteve skeptike. Ajo çka është parë nga krerët e institucioneve deri tash ka qenë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret. Por Ambasada e Kosovës në Holandë ka filluar një fushatë me video-mesazhe, në të cilën personalitete holandeze dhe ndërkombëtare bëjnë thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në kuadër të aktiviteteve lobuese për liberalizimin e vizave për Kosovën, Ambasada e Kosovës në Holandë ka filluar një fushatë me video-mesazhe nga personalitete holandeze dhe ndërkombëtare, që bëjnë thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ambasadorë, deputetë holandezë, eurodeputetë, ndërmarrës, etj., paraqiten në video-mesazhe ku bëhet thirrje për lejimin e udhëtimit të kosovarëve pa viza.

Deputeti i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së t’u mundësojnë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa viza, pasi thekson se ata e meritojnë një gjë të tillë.

“Kosova është Evropë dhe i përket familjes tonë të vendeve demokratike. Ata i kanë përmbushur kriteret shumë kohë më parë. Le ta përfundojmë pjesën tonë të marrëveshjes”, ka thënë, Thijs Reuten.

E ish-ambasadori holandez në Kosovës, tash konsull nderi i Kosovës, Robert Bosch, ka thënë se është turp për Evropën për mosliberalizimin e vizave për kosovarët.

“Përfundimisht, ka ardhur koha për Kosovën të merr liberalizimin e vizave të pritur aq gjatë. Vendi i vetëm në Evropë që nuk ka liberalizim të vizave i cili natyrisht se është një turp për Evropën, një vend që është jo i madh, por që po bën mjaft mirë në fushën e demokracisë. Ata me të vërtetë e meritojnë, kanë përmbushur të gjitha kriteret, pra nuk ka asnjë arsye të jetë i vetmi vend në Evropë pa liberalizim të vizave” ka thënë ai.

Pjesë e kësaj fushate janë edhe personalitete të tjera, si Dan Everts, ish- shef i misionit të OSBE-së në Kosovë. Ai ka thënë se është fatkeqësi që kosovarët janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë.

Ndërsa investitori holandez në Kosovë, Robert Kwakman, është i befasuar për të mirë me zhvillimin pozitiv të Kosovës.

Ai ka kërkuar nga BE-ja që ta mbajë premtimin për kosovarët.

Holanda tashmë i ka hequr dyshimet për liberalizimin, por me vite pati qëndrim skeptik për heqjen e vizave për Kosovën.

Të mërkurën, kur pritej të kalonte propozimi çek për liberalizmin e vizave në grupin punues të Këshillit të BE-së, që liberalizimi të ndodhte jo më vonë se më një dhjetor të vitit të ardhshëm, Spanja pengoi procesin duke paraqitur disa vërejtje në të, ndërsa një shtet tjetër evropian kërkoi sqarime shtesë.

Presidenca çeke tash pritet të ketë kontakte bilaterale me vendet që kanë pasur vërejtje për t’i sqaruar ato, në mënyrë që të miratohet vendimi në Këshillin e Ambasadorëve të vendeve anëtare, jo më vonë se në fund të këtij muaji.