Arbëri

Ambasada e Japonisë ndihmon shkollën e të verbërve në Pejë

Ambasada e Japonisë në Kosovë ka nënshkruar të mërkurën marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe Qendrën burimore për mësim e këshillim “Xheladin Deda” për një donacion prej 70 mijë euro për shkollimin e nxënësve të verbër që ndjekin mësimin në këtë qendër.

Sipas komunikatës së lëshuar nga kjo shkollë, projekti që mbështetet nga fondet japoneze ka të bëjë më ndërtimin e dhomës sensorike, një shërbim shumë i rëndësishëm në zhvillimin dhe stimulimin shqisor të fëmijë me dëmtime në të parë, por edhe mjaft me rëndësi për fëmijët me dëmtime të shumëfishta që ndjekin mësimin në këtë qendër.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ambasadori japonez, Mitsunori Ogasawara, ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë Japonia ka ndihmuar Kosovën në projekte të ndryshme në vlerë prej tre milionë euro.

“Ndërsa kjo ndihmë është e veçantë pikërisht pasi shkon për fëmijët me nevoja të veçanta në qendrën burimore në Pejë”, ka thënë diplomati japonez.

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Berdyna, ka thënë se MASHTI është falënderues për këtë donacion dhe se sipas saj, ministria i ka dhënë rëndësi edukimit gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët në Kosovë dhe se kjo do mbështetet edhe në përmirësimin e kushteve, punësimin e mësuesve mbështetës dhe asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta.

Drejtori i Qendrës Burimore “Xheladin Deda”, Xhavit Kastrati, ka thënë se me këtë projekt plotësohen dy nga kërkesat më të rëndësishme që ka pasur kjo qendër në vitet e fundit.

“Ky donacion është vazhdimësi e ndihmës së mëparshme të Ambasadës japoneze dhe bashkëpunimit të suksesshëm me donatorë të jashtëm që ka qendra burimore”, ka thënë Kastrati.

Përpos dhomës sensorike, kësaj shkolle, e cila është institucioni i vetëm arsimor në Kosovë për të verbër dhe më dëmtime në të parë, i është dhuruar edhe një automjet transportues për punën në terren, si dhe ndërtimi i garazhit për veturat e qendrës. Ndihma e mëparshme japoneze në vitin 2014 ka qenë për ndërtimin e një ashensori për ndërtesën që ka mundësuar qasjen e të gjithë fëmijëve në objekt.