Arbëri

Ambasada e Çekisë i dhuroi pajisje moderne shkollës së të verbërve në Pejë

Me rastin e dorëzimit të pajisjeve, ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, bëri të ditur se donacioni është realizuar përmes Agjencisë Çeke për Bashkëpunim dhe se është kontributi i popullit çek. Ndihmën për qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” në Pejë e kanë vlerësuar lart drejtori i këtij institucioni, ministrja e Arsimit dhe kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës

Ambasada e Republikës së Çekisë në Kosovë ka vazhduar ta mbështesë Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë. Të mërkurën kjo ambasadë, me qëllim të lehtësimit të procesit mësimor të nxënësve, ka dhuruar pajisje moderne në vlerë prej 19 mijë euro.

Në mesin e pajisjeve që funksionojnë me shkronja Braill, është një printer digjital, shtatë makina shkrimi dhe tri pajisje digjitale specifike për nevojat e shkollës, e vetmja në Kosovë për persona të verbër dhe me të parë të dëmtuar.

Me rastin e dorëzimit të pajisjeve, në një ceremoni të organizuar në hapësirat e kësaj shkolle, ambasador i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, bëri të ditur se donacioni është realizuar përmes Agjencisë Çeke për Bashkëpunim dhe se është kontributi i popullit çek.

“Jam i lumtur që e gjithë kjo teknologji do të shërbejë për ju fëmijë dhe për mësuesit dhe se do ta bëjmë më të lehtë për ju mësimin. Shpresoj që po ashtu edhe të keni më shumë kënaqësi gjatë mësimit”, tha diplomati çek.

Ai gjithashtu siguroi se shteti i tij do të vazhdojë t’i ndihmojë fëmijët me vështirësi në të parë.

“Republika e Çekisë ka një përvojë të gjatë në ndihmë për persona të verbër, dhe ne e kemi zgjedhur këtë fushë për të ndihmuar me investimet tona”, tha Bilek.

Për dhurimin e këtyre pajisjeve dhe mbështetjen që po ia bëjnë kësaj shkolle, drejtori i kësaj qendre burimore, Xhavit Kastrati, ka falënderuar popullin dhe Ambasadën çeke.

“Qendra Burimore tash e sa vjet zhvillon aktivitete, sektorë dhe fuqizon kapacitetet e saj dhe të mbështetjes që i bën përmes grandeve ambasada, tash edhe me këto pajisje te teknologjisë, që është fjala e fundit për persona të verbër, që janë një mbështetje e jashtëzakonshme për integrimin e personave të verbër në shkollat e rregullta dhe në arsimin gjithëpërfshirës, çka e kemi vizion dhe mision si qendër burimore. Prandaj falënderoj në emër të Qendrës Burimore dhe jemi mirënjohës për këtë kontribut tuajin dhe të popullit çek”, u shpreh Kastrati.

E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila duke iu falënderuar Ambasadës çeke për këto pajisje të dhuruara, tha se kapacitetet që i ka pasur në dispozicion ministria ndër vite kanë qenë të pamjaftueshme për ofrimin e mundësive të barabarta për secilin fëmijë. “Ndihma që e kanë dhënë partnerët tanë dhe në rastin konkret Ambasada, është jo vetëm shumë e rëndësishme për ne, por është edhe një motiv për punë më të shtuar nga secilin prej nesh qofshim në institucione, punëtorët këtu në Qendrën Burimore, por edhe në secilën prej shkollave”, tha Nagavci.

Ajo me këtë rast pohoi se Qeveria e Kosovës dhe Ministria që ajo drejton, kanë prioritet ofrimin e mundësive të barabarta për secilin fëmijë në shkollat e Republikës së Kosovës.

“Ne kemi planifikuar në mandatin tonë qeverisës të punësojmë së paku 500 asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe përpos kësaj të formalizojmë edhe shërbimet psikosociale e pedagogjike në shkolla. Natyrisht se jemi të vetëdijshëm se përkundër sigurimit të stafit që do të jetë nga ana e Ministrisë së arsimit, nevojat janë edhe më të mëdha. Kështu që bashkëpunimi me partnerët tanë dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta janë shumë të mirëseardhura”, tha ajo.

Projekti për dhurimin e pajisjeve është zbatuar përmes Shoqatës së të Verbërve të Kosovës.

“Me fuqizimin e projektit të Qendrës Burimore krijohen kushtet që pikërisht njësia për përpunimin e materialeve të furnizohet me një printer të fjalës së fundit të teknologjisë për shtypjen e materialeve që janë shumë të nevojshme për fëmijët e verbër. Gjithashtu forcohet gjithëpërfshirja me tre elektro-organizer, me të cilët fëmijët e verbër që vijojnë mësimet në shkolla të rregullta do të jenë plotësisht të barabartë me fëmijët e tjerë”, tha Daut Tishuki, kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës.

Me angazhimin e Republikës Çeke, menjëherë pas luftës, në vitin 1999, kishte nisur pastrimi i objektit të kësaj shkolle nga mbetjet e luftës, për ta përgatitur atë për nxënësit e verbër. Dhe që nga viti 2008 ky shtet ka nisur të ndihmojë këtë shkollë edhe me pajisje në shkrimin Braill dhe me trajnime profesionale të stafit të shkollës për lehtësimin e procesit mësimor dhe punën me teknologji informative.