Ekonomisti Florin Aliu ka thënë se me këtë rritje ekonomike të Kosovës nuk ka ulje të papunësisë, nuk ka reforma ekonomike, por sipas tij, ka veç folklor.
Aliu në emisionin “Konfront” ka pasur kritika për Qeverinë e Kosovës pasi konsideron se s’ka pasur asnjë reformë ekonomike prej kohës kur janë në pushtet.
“Shumë vende brenda BE-së, sidomos Gjermania, Austria, janë shumë afër shifrës natyrore të papunësisë. Konkurrenca në tregun e punës është e madhe, duhet me rrit pagën sepse ta lëshon punën. Te ne realiteti është tjetër, ballafaqohemi me papunësi. Motivimi i punës vjen prej pagës. Janë edhe faktorë të tjerë, por paga është kryesorja. Ne si Kosovë, si qeveri, si ekonomi, e kemi mbyllur vitin me 12 për qind inflacion. Ka pasur rritje të përgjithshme të çmimeve. Tempo e rritjes ekonomike ka rënë në 3 për qind. Me këtë rritje ekonomike, nuk mundet me ul papunësinë. Mundet me qenë formalizim i disa sektorëve, por me ul papunësinë është e pamundur. Kosova i duhen shtatë-tetë për qind për një periudhë pas gjashtë apo shtatë vjetësh. Ky është potenciali ku s’kemi arritur. Këto pastaj mbulohen me folklor, me patriotizëm. Përmende një reformë serioze ekonomike nga kjo qeveri? Fondi Sovran s’është reformë, edhe mendoj që do të dështoj. Reforma nuk ka. U desh me nis reformat që ditën e parë në pushtet”, ka thënë ai.
Mustafa: Emigrimi e reflekton zymtësinë që e ka kapluar këtë vend
Arben Mustafa nga PDK ka thënë se Qeveria duhet ta trajtojë më seriozisht çështjen e emigrimit.
Ai ka theksuar se duhet të trajtohet më seriozisht natyra e emigrimit “sepse emigrimi nga Kosova nuk është politik, por për çështje ekonomike”.
“Është emigrim që e reflekton zymtësinë e madhe që e ka kapluar këtë vend. Sot në Kosovë kemi dëshpërim të qytetarit për shkak të pritjeve të mëdha dhe jorealiste që ka krijuar partia në pushtet që nuk kishte zgjedhur mënyrë për ta bindur qytetarin se do vijë ndryshim i madh me ardhjen e tyre në pushtet”, ka thënë ai në “Konfront”.
Sipas Mustafës, Qeveria aktuale e ka kthyer Kosovën prapa.
“E kemi një Qeveri që sektorin privat e sheh me sy të kundërshtarit, Qeveri që nuk llogarit në sektorin privat si motorin e zhvillimit të këtij vendi. Kemi një Qeveri që më tepër flet për luftë se për perspektivë zhvillimore. Kjo Qeveri e ka rivendosur Kosovën si vatër të krizës”.
Mustafa: Me rritje ekonomike prej vetëm 3.3% mund të flasim veç për regres
Koordinatori për financa në kuadër të kabinetit për qeverisje të mirë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) ,Arben Mustafa, ka thënë se me një rritje prej vetëm 3.3 për qind në Kosovë, mund të flasim vetëm për regres në të ardhurat e qytetarëve.
Ai ka thënë se sektori privat është duke u ballafaquar me vështirësi të mëdha.
“Për të parë gjendjen e sektorit provat mjafton të shohim ritmin e rritjes ekonomike në Kosovë, e cila është në nivelin më të ultë në këto dhjetë vitet e fundit, e cila na tregon se çka po ndodh me prodhimin e mallrave dhe shërbimeve në vend. Me një rritje ekonomike prej 3.3 për qind, ne nuk mund të flasim as për lulëzim të prodhimit as për lulëzim të të ardhurave, por flasim për një stagnim të ekonomisë, dhe një stagnim të të ardhurave”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se po zvogëlohet eksporti e po rritet importi”, ka theksuar Mustafa në emisionin “Konfront” në KTV.
Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, për mostransparencë.
“Jemi në një mjegull informative, duke e pasur parasysh mugesën e transparencës që po e karakterizon këtë Qeveri për sa i përket të dhënave rreth ekonomisë, të dhënat e fundit në dispozicion për pagën mesatare janë të vitit 2022, çdo diskutim për paga mund të lidhet me aspekte specifike, biznese, por për pagën mesatare mund të flasim vetëm me të dhëna faktike të vitit 2022. Këtu kemi të bëjmë me një papërgjegjësi totale të një institucioni që gjendet nën ombrellën e Zyrë se Kryeministrit që në mesin e viti 2024 na mban të informuar me nivelin e pagave të vitit 2022”, është shprehur Mustafa.
Azemi: Pagën minimale le ta çojnë në shtëpi, mungesa e punëtorëve e ka fuqinë e vet
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka porositur institucionet që pagën minimale prej 264 eurosh “ta marrin le ta çojnë në shtëpi”, duke përmendur edhe mungesën e punëtorëve.
“Të flasësh për pagën 264 euro është si të flasësh për borën e parvjetmë. Edhe kjo pagë që ka ardhur deri këtu ka ardhur në mënyrë joligjore. Nuk është konsultuar me partnerët. Është i obliguar që në fund të çdo viti, të ulen këta partnerë dhe të flasin për pagën minimale, e cila është dashur të rritet çdo vit. Pagën minimale le ta marrin le ta çojnë në shtëpi, mungesa e punëtorëve e ka fuqinë e vet, e ka dorën e vet. Ne sot nuk mund të bisedojmë për pagë me asnjë institucion nën pagën 500 euro”, ka thënë Azemi në “Konfront” të KTV-së.
Sipas tij, në qasjet që kanë pasur si Sindikatë, s’ka parë pagë nën 400 euro.
“Aty ku kemi qasje ne si Sindikatë, nuk ka më pagë nën 400 euro. Kemi disa shkolla dhe disa qendra të mjekësisë familjare që janë në proces që paga t’iu bëhet 405 euro. Për 260 euro është marrë me i thënë dikujt që kemi bërë diçka”, ka shtuar ai.