Arbëri

Albulena Mehmeti, kryetare e re e Bordit të RTK-së

Albulena Mehmeti

Albulena Mehmeti të martën është zgjedhur kryetare e re e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Mehmeti do ta zëvendësojë në këtë pozitë Besnik Boletinin, i cili dha dorëheqje në gusht pas publikimit të një artikulli të paverifikuar nga mediumi publik me akuza ndaj dy portaleve “Periskopi” e “Nacionale”. RTK-ja kishte transmetuar një raport të një mediumi të Bosnje e Hercegovinës duke i akuzuar dy portalet se janë nën kontroll të Milan Radoiçiqit e se kanë marrë miliona nga Serbia. Artikulli pati nxitur reagime të shumta.

Nënkryetar i Bordit u zgjodh Dardan Beqiri, ka njoftuar RTK-ja.

“Kryesia e re falënderoi anëtarët e bordit për besimin, si dhe shprehu përkushtimin për avancimin e zhvillimit të RTK-së. Ata gjithashtu theksuan angazhimin për të ndjekur praktikat më të mira të mediave publike ndërkombëtare dhe për të ruajtur stabilitetin financiar të institucionit. Një nga prioritetet kryesore të kryesisë së re është edhe rritja e kredibilitetit të RTK-së, si dhe vazhdimi i funksionmit të RTK-së në përputhje me rregullativën ligjore dhe standardet më të larta profesionale, duke ofruar informim të saktë, objektiv dhe të shpejtë për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.