Alban Shala, kryesues i vendvotimit ku u zhdukën 450 fletëvotime në Runik të Skenderajt, ka rrëfyer për gjithë atë që ka ndodhur mesditën e 6 tetorit.
Shala, që vjen nga AAK –ja, mohon të ketë qenë i pranishëm në klasë në momentin kur u morën fletëvotimet e zbrazëta dhe u nxorën nga aty.
Sipas tij, qëllimisht, dikush e shfrytëzoi mungesës e tij sa ishte në pauzë dhe kur ishte kthyer ai ishte njoftuar se aty mungonin fletëvotimet.
Në atë çast, Shala thotë se kishte kontrolluar klasën, por nuk i kishte gjetur fletëvotimet, ndërsa për këtë e kishte njoftuar menaxherin dhe më pas edhe Policinë.
Pafajësinë e tij thotë se do ta vërtetojnë provat e kamerave që ishin të instaluara në klasë dhe të cilat i ka Policia.
Derisa ndihet i pafajshëm në gjithë këtë situatë, duke thënë se me përgjegjësi kishte kryer punën e tij dhe nuk ka punuar në favor të asnjë kandidati, në këtë rast as për Bekë Berishën.
Lidhur me këtë rast, Policia dhe Prokuroria janë duke i vazhduar hetimet, me ç’rast janë intervistuar disa persona të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “Asgjësim i dokumenteve të votimit”.
Deri tani, për këtë rast nuk ka ndonjë kallëzim penal e as nuk është arrestuar asnjë person i dyshimtë.
Të enjten, Kohavisioni ka raportuar bazuar nga burime brenda AAK –së, se Alban Shala dyshohej se ishte planifikuesi i krejt kësaj ngjarjeje dhe me këtë veprim synonte të siguronte vota për kandidatin për deputet Bekë Berisha, pretendime këto që i ka mohuar ky i fundit.