Korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të mbetet sfidë e madhe për Kosovën. Si i tillë, kjo dukuri po vazhdon ta pengojë Kosovën drejt liberalizimit të vizave.
Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, tha se luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë është ende kriter i papërmbushur për liberalizim, raporton KTV.
“Korrupsioni i nivelit të lartë fatkeqësisht mbetet një nga sfidat madhore për zhvillimin e Kosovës. Krijimi i një historiku pozitiv të trajtimit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve të tjera të tilla mbetet një nga dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave, por jo vetëm kaq. Unë e di që luftimi i korrupsionit është një betejë e mundimshme dhe nënkupton ndryshime radikale të mendësisë dhe në veçanti kërkon vullnet të fortë, të palëkundur politik dhe edhe këtë vit shpeshherë e shohim që kjo po mungon”, ka thënë Angelika Viets.
Sipas saj, luftimi i korrupsionit të lartë nuk është një detyrë e lehtë, e sidomos rastet kur korrupsioni i nivelit të lartë mund të përfshijë njerëz shumë të fuqishëm.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Brathu, theksoi se janë të vetëdijshëm që luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë është i vështirë për t’u trajtuar, por që ai tha se janë të përkushtuar që të ndihmojnë Kosovën.
“E kemi dëgjuar këtë duke u përmendur që disa vjet me radhë se është prioritet kyç, dhe e dimë që është çështje e ndërlikuar dhe e vështirë për t’u trajtuar. Prandaj, jemi të përkushtuar që t’ju ndihmojmë në zhvillimin e kapaciteteve për të qenë efikas dhe efektivë në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Është me rëndësi që ligjet të zbatohen, ligjet ekzistojnë realizimi i tyre zbatimi i tyre në fakt nuk është në nivelin e duhur. Ka zhvillime pozitive nuk do të them se çdo gjë është zi, por e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëhet shumë më shumë, në mënyrë që të kemi një zbatim të mirëfilltë të kornizës ligjore”, ka thënë Brathu.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, në këtë konferencë premtoi se do ta ketë fokus primar pastrimin e vetvetes nga të gjitha elementet korruptive.
E Prokurori Special, Sylë Hoxha, tha se si prokurori janë të përkushtuar në luftimin e krimit ekonomik dhe atë të nivelit të lartë.
E edhe përkundër investimeve nga faktori vendor dhe ai ndërkombëtar për luftimin e korrupsionit në Kosovë, Drejtori i Agjencisë Anti-Korrupsion, Shaip Havolli, tha se prapë nuk është arritur funksionalitet në luftën kundër korrupsion.