Arbëri

Akuza ndaj Komunës së Ferizajt për kurdisje të ankandit për kioskat

Tetë pronarë të kioskave të vjetra në Ferizaj, që janë hequr nga sheshi rreth dy muaj më parë, i adresuan ankesa dhe një peticion Komunës, pas eliminimit në ankandin publik për përfitimin e të rejave. Ata ngrenë dyshimin për kurdisje të ankandit. E në Komunë thonë se procesi është zhvilluar bazuar në ligjet në fuqi dhe se përfitues të ofertës janë ata që ofruan çmimin më të lartë

Komuna e Ferizajt ka mbyllur ankandin publik për dhënien në shfrytëzim të 16 kioskave të reja në afërsi të sheshit të qytetit, pasi rreth dy muaj më parë i pati larguar ato të vjetrat.

Por procesi është kundërshtuar nga ish-pronarët, pasi asnjëri prej tyre nuk ka arritur të përfitojë kioskë të re, dhe për këtë ata kanë bërë ankesa dhe kanë dorëzuar edhe një peticion në Komunë, me pretendimin për kurdisje.

Naser Teneqja, ish-pronar i një kioske, shpreh dyshimin se mund të jetë përfitues i një kioske të re me anë të ankandit.

“Unë jam i pakënaqur, sepse ankandi është bërë në mënyrë të padrejtë, ka pasur zarfe të hapura, ndërkaq në ankand është specifikuar se në zarf të mos ketë të shkruar asgjë dhe të jetë i bardhë. Na kanë detyruar t’i shkruajmë emrin dhe lokacionin, andaj dyshoj se këtu e kanë bërë me qëllim për të ditur se ku po aplikojmë. Aplikuesi nuk duhet ta dijë se ku po aplikohet dhe kush po aplikon”, ka thënë Naser Teneqja, ish-pronar i një kioske.

Ai ankohet se që pas heqjes së kioskave të vjetra ka mbetur pa punë dhe nuk ka se si të kujdeset për katër anëtarët e familjes.

“Këtë biznes e kam ushtruar në Gjermani dhe jam larguar që të krijoj familje në Kosovë dhe t’i kontribuoj këtij vendi, por këtu është krejt ndryshe. Ke të njohshëm depërton. Por, nëse nuk ke njoftësi largohu dhe shko ku të duash. Unë tash për momentin jo ditën, por natën duhet të iki, sepse jam detyruar në moshën 54 vjeç të largohem së bashku me grua dhe 2 fëmijë”, ka thënë Teneqja.

E pronari i një tjetër kioske, Sherif Aliu, thotë se pas mbylljes së biznesit është detyruar të mbledhë kënaçe nëpër rrugë për ta mbajtur familjen, që është në asistencë sociale.

“Mbetën ashtu 11 anëtarë të familjes pa bukë. Jemi duke i kërkuar kontejnerët nëpër Ferizaj për të mbledhur hekura e kënaçe për ta mbajtur familjen. Ndoshta Komuna e Ferizajt na bën ndonjë zgjidhje që ta jetojmë jetën me gjithë familjen, siç duhet”, ka thënë Aliu.

E, Arbër Bytyqi, drejtor për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, thekson se procedurat e ankandit janë zhvilluar sipas ligjit, teksa i ka komentuar edhe pretendimet për zarfe të hapura.

“Procesi ka qenë shumë transparent, sipas informacioneve që kam nga Komisioni. Ndërkaq zarfet janë hapur, por në prezencë të të gjithë atyre që kanë aplikuar në sallën e Kuvendit Komunal. Sa u përket ligjeve dhe procedurave, ato janë respektuar dhe nuk është bërë asnjë shkelje e dhënies së pronave në shfrytëzim. Në ankand të drejtën e kanë pasur të gjithë qytetarët dhe ai që ka ofruar më shumë e ka fituar ofertën”, ka thënë Bytyqi

Sipas tij, Komuna ka paraparë që kioskat e reja t’i vendosë në një lokacion që nuk do ta pengonte lëvizjen e qytetarëve dhe që do të mundësonte lirimin e hapësirave publike dhe të sheshit.