Me akuza e përplasje verbale mes kuvendarëve të pushtetit e atyre të opozitës është zhvilluar mbledhja e Kuvendit Komunal në Lipjan, në të cilën u debatua për miratimin e buxhetit për projekte kapitale për periudhën 2024-2026. Në të u numëruan veprat e politikanëve gjatë dhe pas luftës, ndërsa pati edhe akuza për keqpërdorime e përfshirje të familjarëve të kryetarit Ahmeti në tenderë e kontrata
Me përplasje, sharje, kërcënime e akuza mes kuvendarëve nga pushteti e opozita është shoqëruar seanca e së premtes e Kuvendit Komunal në Lipjan.
Debati u ashpërsua tek po diskutohej për propozim-vendimin mbi aprovimin e buxhetit për vitet 2024-2026, kur nga opozita u shprehën vërejtje që kërkesat e qytetarëve dhe ato të opozitës për realizim të projekteve të caktuara nuk u përfshinë në listën e investimeve, ndërsa kryetari Imri Ahmeti u akuzua për përfshirjen në tenderë të familjarëve të afërt të tij.
Ahmeti e shefi i grupit të kuvendarëve të PDK-së, Arsim Jashari, u përfshinë në përplasjen verbale teksa ia përmendën njëri-tjetrit veprat gjatë dhe pas luftës.
“Nëse e merr si ofendim atë që e thashë, merre dhe mbaje në xhep, sepse unë jam këtu, Arsim. Nuk mund të më ndërhysh në fjalimin tim, prandaj merre ti si ofendim sa të duash. Mos u mëso të ndërhysh, sepse derisa ti fole unë heshta, andaj tash shuaj”, ka qenë reagimi i Ahmetit.
“Nuk ke të drejtë t’i ofendosh anëtarët e Kuvendit dhe me i thënë ‘mbylle’. Këtë mund t’ua thuash anëtarëve të familjes tënde, por jo mua kurrë. Unë e mbaj parimin dhe e mbaj atë. Ti the dihet për zgjedhje e unë të tregova se nuk dihet, këtu ishte qëllimi. Sa jam Boss si në aspektin moral e kontributdhënës e dinë krejt se kush jam dhe nuk i frikësohem askujt, sepse jam i pastër. Kur ka qenë vakti unë kam qenë te vendi dhe nuk kam qenë duke luajtur ‘bilardo’ nëpër katune. Unë prapë të respektoj, veç nëse më thua mbylle e trus me mua nuk bën e me tjetër kënd provoje nëse të shitet”, ka reaguar Jashari i PDK-së.
E akuzës ndaj Ahmetit për dallavere me tender iu bashkua edhe shef i grupit të kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Salihu.
“Po ju them se është mirë që mos të përfshihen familjet nëpër debate. Nëse mendon se ka ndonjë keqpërdorim dhe e ke fuqinë dërgoje policinë, por mos u mundo me kritiku familje që gjatë gjithë jetës duke punuar privat mundohen ta sigurojnë jetesën. Andaj nuk janë të gjitha familjet e inkriminuara siç mund të jetë familja jote që asnjë tender dhe asnjë kontratë nuk jepet në Lipjan pa qenë i përfshirë djali juaj”, është shprehur Salihu.
“Sa për fjalën që ti e the shihemi në gjykatë dhe argumentoje, por mos vajto siç ke vajtu”, i është përgjigjur Ahmeti.
Pas shumë kritikave për mospërfshirje të projekteve kapitale në listë, me shumicë të votave është miratuar buxheti për realizim të projekteve për periudhën 2024-2026.