Arbëri

Aktivizohet Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së në Shqipëri

Task-Forca e Forcave Speciale amerikane për Ballkanin, që do ta ketë vendndodhjen në Shqipëri, është aktivizuar të mërkurën. Në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë u zhvillua ceremonia e aktivizimit të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së në Shqipëri, ku të pranishëm ishin ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, si dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja e SHBA-së ka thënë se për herë të parë në histori Shqipëria do të jetë baza e një pranie të përhershme ushtarake amerikane.

“Vitin e kaluar mirëpritët ‘Defender 21’ duke dëshmuar se marrëdhënia jonë e sigurisë ishte gati për nivelin tjetër. Dhe ja ku jemi. Me vënien në funksion të Task-Forcës për Ballkanin për herë të parë në histori, Shqipëria, ndoshta për habi të të gjithëve, do të jetë baza e një pranie të përhershme ushtarake amerikane. Nuk mendoj që ndokush do ta kishte paraparë këtë 100 vjet më parë apo kur ra komunizmi para 30 vjetësh. Kjo prani është këtu për disa arsye, por së pari jam e kënaqur që jemi këtu: në nivelet më të larta të Qeverisë amerikane ka një respekt dhe vlerësim në rritje për Shqipërinë si një partner sigurie, që prej anëtarësimit të saj në NATO më 2009 Shqipëria nuk ka hezituar kurrë të dislokohet përkrah forcave amerikane dhe ne nuk mund të kërkonim për një mik dhe aleat më të fortë e besnik. Lidhjet tona 2- palëshe janë më të rëndësishme se kurrë”, ka thënë ambasadorja Kim.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, theksoi se Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të rritur standardet e forcave të saj operacionale.

“Do të jemi në gjendje të luftojmë së bashku nëse do të jetë nevoja, siç kemi bërë në Afganistan e më gjerë”, ka deklaruar Peleshi.

Një muaj më parë mediat amerikane kanë hedhur dritë mbi ato që fshihen pas lëvizjes së amerikanëve për ngritjen e bazës së Forcave Operacionale Speciale Amerikane (SOCEUR) në Shqipëri. Portali i njohur amerikan “Business Insider” ia ka kushtuar një shkrim të gjatë bazës së SOCEUR-it në Shqipëri, ku qëllimin e saj e lidh me Rusinë. Sipas saj, Moska mund të tentojë skenarë destabilizues në rajon dhe forcat speciale amerikane do të angazhohen në misione të ndryshme.

“Shqipëria nuk është pranë Rusisë, kështu që ju nuk e keni atë afërsi fizike me një kundërshtar. Por Ballkani është i rëndësishëm dhe Rusia ka ende shumë ndikim atje. Në fund të fundit, rusët janë sllavë dhe po kështu është pjesa më e madhe e Ballkanit, me shumë pak përjashtime, si Greqia, dhe Rusia e ka luajtur gjithmonë atë kartë për të manipuluar dhe kontrolluar situatën atje”, ka cituar një burim gazeta “Business Insider”.

Në shkrim përmendet edhe afrimi i Shqipërisë me Turqinë. Sipas portalit amerikan, ngritja e kësaj baze lidhet edhe me këtë çështje.

“Turqia është gjithashtu një faktor në rajon. Turqia ka investuar shumë në Shqipëri dhe të dyja janë anëtare të NATO-s, si dhe vende me shumicë myslimane, por nën presidentin Rexhep Tajip Erdogan, Turqia është larguar vazhdimisht nga Aleanca Transatlantike, duke ngritur shqetësime për pjesëmarrjen dhe operacionet e NATO-s në një pjesë të rëndësishme të botës. Vendimi i SOCEUR-it për të vendosur selinë e re të operacioneve speciale në Shqipëri mund të jetë një përpjekje me takt për të ruajtur një pjesë të këtij aksesi ose për të mbajtur Turqinë nga tërheqja e vendeve të tjera të NATO-s me të. Gatishmëria e Shqipërisë për të pritur selinë pa dyshim luajti një rol, pasi qeveritë e tjera mund të ishin përballur me kundërshtimin e brendshëm”, thuhet aty.