Arbëri

Aktivistët kërkojnë zgjedhjen e këshillave lokalë në Prizren

Pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në takimin e dytë publik të kryetarit të Prizrenit ka shtyrë aktivistët e shoqërisë civile që të kërkojnë funksionalizimin e këshillave të fshatrave dhe lagjeve. Kryetari Totaj është zotuar të martën, se kjo çështje do të rregullohet gjatë vitit 2023. Njëherësh, ka prezantuar raportin për punët e kryera gjatë këtij viti

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë takimit të dytë publik me qytetarët ka raportuar për punët e kryera gjatë vitit 2022, duke e cilësuar si sukses shpenzimin e dy të tretave të buxhetit për shpenzimet kapitale. Mirëpo, pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në këtë mbledhje, ka shtyrë aktivistët e shoqërisë civile që të kërkojnë zgjedhjen e këshillave të fshatrave dhe lagjeve, me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së komunitetit në vendimmarrje.

Totaj për mbi 40 minuta ka folur të martën për punët dhe projektet e realizuara, me ç’rast ka theksuar se deri më tash Ekzekutivi komunal ka arritur që të shpenzojë rreth 80 për qind të buxhetit, i cili sipas tij, është miratuar me vonesë.

“Te shpenzimet kapitale që njëkohësisht është edhe kusht për me marrë pjesë në garën e grantit të performancës deri më tani me shënimet që i kemi 60.1 për qind i kemi shpenzuar. Por këtu duhet me pasë parasysh faktin se kur e kemi marrë pushtetin e kemi trashëguar gjendjen pa buxhet të miratuar. Është dashur me miratu buxhetin edhe kur kemi filluar me punu, ka qenë fundi i prillit apo fillimi i majit", ka thënë Totaj.

Duke marrë shkas nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në këtë takim publik, aktivisti shumëvjeçar i shoqërisë civile në Prizren, Bashkim Gashi, ka sugjeruar miratimin e rregullores për zgjedhjen e këshillave të fshatrave e lagjeve urbane. Sipas tij, një gjë e tillë duhet të jetë prioritet për pjesën e parë të vitit 2023.

“Secilit i ka kaluar mandati, i ka kaluar shumë vjet, ka vite që i ka kaluar. Disa e kryejnë funksionin, disa nuk e kryejnë funksionin. Edhe në këtë, kemi pak shkarje në vendimmarrjen e qytetarëve. Sikur t’i kishim pasur sot për shembull, një 80 prej këtyre përfaqësuesve, sigurisht debati kishte me qenë më ndryshe, propozimet kishin me qenë më ndryshe”, është shprehur Gashi.

Totaj ka pranuar se disa çështje kanë mbetur pa u kryer gjatë vitit 2022, me arsyetimin se vëllimi i punëve që duhen realizuar është më i madh sesa kapacitetet e stafit të komunës.

“Ne e kemi formuar një komision, edhe ai komision do ta vazhdojë punën. Jam i sigurt se gjatë vitit 2023, kjo punë do të rregullohet”, ka theksuar Totaj.

Sipas dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Komuna është e obliguar që së paku dy herë në vit të mbajë takime publike me qytetarët, ku prezantohen aktivitetet e komunës, derisa pjesëmarrësit mund të shtrojnë pyetje dhe të japin propozime për zyrtarët komunalë.