Arbëri

VV-ja në Gjilan kundërshton vendosjen e Drejtorisë së Kulturës në Bibliotekë

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan po kundërshtojnë vendosjen e stafit të Drejtorisë së Kulturës në objektin e bibliotekës së qytetit. Sipas tyre me këto lëvizje edhe më shumë po tkurren hapësirat e brendshme të lexuesve.

Ata kanë zgjedhur oborrin e bibliotekës së qytetit për protestë dhe të ulur në karriget e tyre dhe me libra në duar thonë se komuna në këtë rast po uzurpon hapësirat e bibliotekës.

Aktivistja, Flutura Shabani ka akuzuar pushtetin komunal që drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) se edhe në të kaluarën ka përdorur objektin e bibliotekës në mënyrë të kundërligjshme.

Ajo thotë se kundërshtimin do të vazhdojnë edhe ndaj vendosjes së zyrave të drejtorisë së kulturës në objektin e bibliotekës.

“Në vitin 2019 kishim mbi 4000 lexues të regjistruar në bibliotekë, ndërkohë çdo vit e më pak hapësirë po mbetet për lexuesit prandaj kemi dalë që të lexojmë në oborr sepse nuk kemi hapësira. Mesa duket për kryetarin tonë është më e rëndësishme që drejtoritë komunale të kenë zyra luksoze sesa studentët të kenë ku të mësojnë. Vlen të theksohet se kjo bibliotekë është përdorur edhe për qëllime tjera për shembull gjatë fushatës së vitit 2019 zgjedhjeve të tetorit LDK-ja ka mbajtur tubime publike” ka thënë ajo.

Ndërkaq drejtoresha për kulturë në Gjilan, Deniza Limani i kishte thënë KOHËS se Drejtoria e Kulturës nuk ka një objekt të posaçëm dhe se stafi i tyre aktualisht është i vendosur në zyrat e Teatrit të Qytetit. Ajo ka deklaruar se ata nuk kanë zgjidhje tjetër dhe se bibliotekës do t’ia zënë vetëm një nga kthinat e saj.