Arbëri

Aktivistët e Prizrenit kërkojnë heqjen e kufizimeve në moshë për punë vullnetare

Kontributi i vullnetarëve të Prizrenit është vlerësuar si vlerë e çmuar për shoqërinë, me ç’rast të rinjtë dhe aktivistët kanë kërkuar që puna vullnetare të mos ketë kufizime në moshë. Ndërsa autoritetet komunale janë zotuar për jetësimin e kartës së vullnetarit, me qëllim të nxitjes së angazhimit të të rinjve në aktivitete vullnetare

Kontributi i vullnetarëve të Prizrenit është vlerësuar si vlerë e çmuar për shoqërinë, ndërkohë që nga institucionet relevante është kërkuar që të mënjanohen kufizimet në moshë për njohjen e punës vullnetare. Në diskutimin e mbajtur në ndërtesën e Kuvendit të Komunës, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, autoritetet komunale janë zotuar për jetësimin e kartës së vullnetarit, me qëllim të nxitjes së angazhimit të të rinjve në këtë aspekt.

Të rinjtë si dhe aktivistët e shoqërisë civile duke vënë në pah rëndësinë e punës vullnetare kanë theksuar se në këtë mënyrë krijohen përvoja të vlefshme për individët e ndryshëm që kontribuojnë në komunitet. Në të njëjtën kohë është theksuar se puna vullnetare nuk duhet të ketë kufizime në moshë, pasi ka ndikim në zhvillim ekonomik dhe social.

Hoxhaj, nga Kuvendi i të Rinjve, ka vlerësuar se puna vullnetare nuk ka çmim e as moshë.

“Vullnetarët nuk paguhen, jo sepse nuk kanë vlerë, por sepse nuk ka çmim që paguan për kontributin e tyre”, ka thënë ajo.

Eni Shkurti nga Këshilli i Nxënësve të gjimnazit “Gjon Buzuku” ka pohuar se platforma për vullnetarët ka vënë kufizime në moshë.

“Por një problem që e kemi parë ne si të rinj në këtë fushë është që Kosovo Volunteers platforma nuk e mbështet punën vullnetare nën moshën 18-vjeçare”, ka deklaruar ajo.

Ngjashëm është shprehur edhe Erolina Morina nga OJQ “ISDY”.

“Një mangësi që është parë dhe shoqëria civile ka reaguar është për shkak se ligji e kufizon punën vullnetare në bazë të moshës, d.m.th 14-24-vjeçare”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit ka vlerësuar se përmes vullnetarizmit nxiten ndryshime pozitive në shoqëri, dhe është zotuar për hartimin e rregullores përkatëse, respektivisht kartën e vullnetarëve në bashkëpunim me hisedarët relevantë.

kur një person është i gatshëm të kontribuojë për komunitet legjitimohet si njeri human, legjitimohet si njeri racional, si njeri pozitiv, energjik, dhe ai status ia hap dyert kudo që ka pengesa në perspektivë”, ka thënë Totaj.

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është caktuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1985, me qëllimi që të shprehet mirënjohje për përpjekjet e vullnetarëve në komunitet, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të kontribuar në shoqëri. Sivjet në këtë ditë kremtohet solidariteti përmes vullnetarizmit.