Arbëri

Aktivistët: Duke refuzuar termin “të zhdukurit me forcë”, Serbia mohon krimet

Marrëveshja për të pagjeturit mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur peng i përcaktimit të Beogradit zyrtar që të mos e pranojë në dokument termin “të zhdukurit me forcë”. Juristë thonë se Kosova nuk duhet të lëshojë pe, meqë me këtë terminologji edhe konventat ndërkombëtare u referohen të zhdukurve gjatë luftës. Ndërkaq, aktivistë të të drejtave të njeriut thonë se duke e refuzuar këtë terminologji, Serbia po i mohon krimet e saj në Kosovë

Mospajtime të thella mes Kosovës dhe Serbisë ka për një ose dy fjalë, të cilat, sipas ndërmjetësit të dialogut, Mirosllav Lajçak, e mbajnë peng marrëveshjen për të pagjeturit.

Autoritetet në Kosovë insistojnë se termi që duhet të figurojë në dokument, është “të zhdukurit me forcë”, dhe jo vetëm “të zhdukurit”, siç kërkon Beogradi zyrtar.

“Ai term duhet të jetë në deklaratë për shumë arsye, dhe nuk është arsye politike kjo, sepse jam i bindur që termi ‘të zhdukur me forcë’ obligon të dyja palët, e them sinqerisht, edhe Kosovën edhe Serbisë, i obligon të ofrojnë informacione, të ofrojmë punën tonë për të gjetur personat e zhdukur. Ndërsa nëse ne shkojmë dhe bëjmë deklarata pa pritje të një rezultati konkret në Bruksel, atëherë është e dhimbshme për familjarët, dhe unë nuk dua që familjarët të krijojnë shpresa të kota, sepse jemi 22 vjet prapa. Prandaj jo, nuk jemi afër nënshkrimit të deklaratës”, ka thënë Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Kjo terminologji rezulton të ketë rëndësi edhe në aspektin juridik.

Juristi Avni Puka thotë se shteti i Kosovës ka të drejtë në kërkesën që lidhet me terminologjinë, meqë pikërisht ajo ndodhet edhe në konventa ndërkombëtare.

“Realisht, shteti serb ka një qasje të mohimit të vazhdueshëm, edhe të mohimit të fakteve të krimeve të kryera në Kosovë, edhe përgjegjësive për këtë dhe kjo korrespondon në përgjegjësitë që shteti i Serbisë ka në raport me zhdukjen me forcë sepse aty flasim për përgjegjësinë e shtetit. Në këtë rast, Konventa e përcakton të zhdukurit me forcë. Edhe komitetet e përkujdesit ndaj personave përcakton qartësisht orientimet apo përgjegjësitë që shteti i ka në raport me zhdukjen e personave me forcë që është rast tipik për të zhdukurit në Kosovë gjatë luftës së fundit”, ka thënë Puka.

E Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë se mospajtimi i Serbisë me këtë terminologji, tregon se ky shtet mohon krimet që dy dekada më parë janë kryer në Kosovë.

“Mendoj se është e rëndësishme që termi ‘zhdukje e dhunshme’ të përdoret në marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse kjo shprehje është standardizuar ndërkombëtarisht për të zhdukurit gjatë konflikteve të armatosura kur njerëzit janë zhdukur (kidnapuar) nga aktorët shtetërorë apo nga grupet e tjera nën autorizimin e institucioneve shtetërore. Kjo ka ndodhur në masë të madhe gjatë luftës në Kosovë. Unë besoj se Serbia po heziton ta pranojë këtë terminologji, sepse në atë mënyrë do ta pranonte se institucionet a atëhershme Serbe kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, ka deklaruar Blakaj.

Dhjetë ditë më parë, Miroslav Lajçak ka thënë se 99.5 për qind e tekstit të marrëveshjes për të pagjeturit është dakorduar dhe se nevojitet vullnet politik për t’i evituar dallimet në lidhje me terminologjinë.