Arbëri

Policia arreston aktivistët që bllokuan dyert e ZRRE-së

arrest

09:25 - Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën në mëngjes 12 aktivistë që bllokuan dyert e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në pamjet e publikuara nga KosovaPress, shihet se si zyrtarët policorë tërheqin aktivistët dhe ua vendosin prangat.

Në një reagim më vonë, grupi i aktivistëve ka bërë të ditur se janë arrestuar 12 persona.

Policia ka thënë se të arrestuarit janë duke u proceduar konform autorizimeve policore.

“Sot rreth orës 08:00 në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, disa persona kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Të njëjtit kanë shpërfillë urdhërat e zyrtarëve policor dhe kanë penguar disa zyrtarë të hyjnë në zyrat e tyre. Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor 12 prej protestuesve dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar konform autorizimeve policore në koordinim me Prokurorin e shtetit”, thuhet në njoftim.

VIDEO:


ZRRE-ja reagon për protestën ku u arrestuan disa aktivistë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është deklaruar lidhur me protestën e mëngjesit të sotëm, ku janë arrestuar disa aktivistë. 

Aktivistë, që po protestonin kundër shtrenjtimit të rrymës, kishin bllokuar hyrjen te zyrat e ZRRE-së. Policia arrestoi 12 prej tyre. 

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është e vetëdijshme për shqetësimet e qytetarëve lidhur me procesin e tanishëm tarifor, të shprehura sot përmes protestës pranë zyreve të ZRRE-së. ZRRE respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. ZRRE në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi. Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave të ZRRE, konform mandatit te saj”, thuhet në reagimin e ZRRE-së. 



Aktivistët bllokojnë zyrat e ZRRE-së

Disa aktivistë kundër shtrenjtimit të rrymës, kanë bllokuar nga mëngjesi i së mërkurës Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, në prag të vendimmarrjes për propozimin për shtrenjtim të rrymës.

“ZRRE-ja është në bllokadë. Bllokimi do të vazhdojë deri në zotimin publik nga ZRRE se nuk do ta miratojë rritjen e çmimit të rrymës për 15%. Vetëm atëherë mund t’i kthehen punës”, thuhet në lajmërimin e tyre në Facebook.

Protesta e tyre po zhvillohet nën moton “asnji cent ma shumë”.

Më 11 prill, ZRRE-ja pritet ta mbajë mbledhjen për vendimin mbi propozimin e shtrenjtimit të rrymës për 15 për qind. Propozimi ka nxitur reagime qe disa javë. Ndër komentet e dërguara ndaj propozimit, Presidenca ka kundërshtuar shtrenjtimin, ndërsa Qeveria ka rekomanduar shtimin e blloktarifave.