Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër zëdhënësit të LVV-së Arlind Manxhuka, ish-asamblistit të kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi si dhe personave me iniciale Q.E. dhe E.Z..
Sipas Prokurorisë aktakuza kundër Manxhukës e Azemit është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ky rast lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e ish policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.
“Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit A.Sh dhe M.B..”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, të pandehurit Manxhuka dhe Azemi, “duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje thuhet se kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh. dhe gjyqtarit M.B., lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P..”
Manxhuka ka thënë se nuk ka informata lidhur me aktakuzën.
Ndërsa Azemi ka thënë se zyrtarisht nuk ka pranuar asnjë njoftim për ngritjen e aktakuzës dhe për të është njoftuar nga mediat.
Në një përgjigje për KOHËN, ai ka thënë se nuk është i habitur nga një vendim i tillë, pasi sipas tij, aktakuza ka ardhur nga ata që lirojnë kriminelë e terroristë serbë.
“Lirojnë ata që sulmonin policinë e institucionet e Kosovës. Po këta ngrenë aktakuza për statuse në Facebook. Dhe a e dini pse? Vetëm se postimi im kishte një thënie të cituar të heroit kombëtar Avni Rrustemi. Ky sistem me këta prokurorë që nuk luftuan krimet e korrupsionin që sa vite ashtu si duhet. Ky sistem e këta prokurorë që lirojnë kriminelët e Radoiçiqit e Serbisë, me ose pa vetëdije po u shërbejnë zellshëm, Radoiçiqit e Serbisë. Le ta dinë se me aktakuza të tilla, as nuk na frikësojnë as nuk na mbyllin gojën, përkundrazi”, ka thënë ai.
Manxhuka dhe Azemi në gusht të këtij viti ishin intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e tyre për rastin e Pantiqit.
Manxhuka atëherë kishte akuzuar Prokurorinë për përndjekje të aktivistëve të partisë në pushtet, derisa kishte thënë se nuk janë marr me denoncimet që kanë bërë ministritë e Qeverisë aktuale.
“Rreth 250 denoncime të shkeljeve e proceseve korruptive janë bërë nga ana e ministrive përgjatë kësaj kohe të qeverisjes. Veprimet e prokurorisë jo që ishin të mangëta, por shpeshherë rrëzuan raste me situatë të qartë. Por, Prokuroria Speciale nuk është se ishte pasive, përkundrazi ajo është më aktive se kurrë në përndjekje të qytetarëve me prefixin VV. Pra, ky është keywordi (fjalë kyçe v.j) që i bënë përshtypje kësaj Prokurorie. Në këtë linjë, për nesër jam ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, në lidhje me reagimin tim në rastin e lirimit të kriminelit/terrorist Dejan Pantiq. Detajet besoj do t’mi jep nesër prokurorja”, kishte shkruar Manxhuka në Facebook.
Edhe Azemi kishte thënë se është ftuar nga Prokuroria të merret në pyetje, për “kinse për reagimin tim në rastin e lirimit të kriminelit serb Dejan Pantiq”.
“Nga një postim i imi demek qenka ndjerë i kërcënuar ndonjë prokuror apo gjyqtar. Dhe pse s'kishe lidhje më të. Unë nuk kërcënoj. As nuk nxis. Unë vetëm kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj drejtësi. Të plotë. Jo selektive. Dhe njësoj do vazhdoj. Kjo Prokurori që është e kapur thuajse fund e krye, saherë shkruaj diçka rreth tyre e gjejnë një vegzë e ngrisin një rast. Herë për protestat e 2015-16 e këtë herë për një reagim në Facebook. Po, nesër do të shkoj veç të ju them që ne as nuk kërcënojmë e as nuk frikësohemi. Do qëndrojmë drejtë e pa e thyer kurrizin as përballë kriminelëve serbë, as para mafisë milardere e as para prokurorëve të kapur”, kishte shkruar Azemi.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës, thuhet se i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.