Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se procesi për rrënimin e tezgave të betonit, i paraparë në fund të gushtit, është shtyrë për në muajin tetor.
Sipas AKP-së, ky vendim është marrë pas kërkesave të shumta nga tregtarët për ta shtyrë këtë proces, me arsyetimin se janë në kulm e sezonit të shitjeve.
Ndërkohë në fund të kësaj jave, bëhet e ditur se do të barten tezgat metalike nga Tregu “Ulpiana” në Tregun e Gjelbër.
“AKP-ja ju informon se ky aksion i paraparë të realizohet këtë fundjavë dhe që është shtyrë për muajin tetor, për largimin e strukturave të betonit dhe zëvendësimin e tyre me struktura (tezga) metalike nuk do të zgjas ashtu siç janë deklaruar tregtarët, por bëhet fjalë për një aksion të shkurtër 2-3 ditor, duke u kujdesur maksimalisht që tregtarët e përgjegjshëm të mos dëmtohen”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie.
AKP-ja më tej ka bërë të ditur se do të krijohen hapësira shtesë dhe do të akomodohen në këtë pjesë tregtarët tjerë ambulantë, të cilët janë larguar nga rrugët e Komunës së Prishtinës.
“Kjo do të ketë efekt në aspektin e shndërrimit të këtyre hapësirave në hapësira të pastra dhe të shfrytëzueshme. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë shitje të hekurit siç thuhet nga ndonjë tregtar, por bëhet fjalë për pastrimin e asaj pjese nga këto struktura të vjetruara të betonit dhe zëvendësimin e tyre me struktura (tezga) metalike”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Javën e kaluar, KOHA ka raportuar se kjo agjenci i ka paralajmëruar bizneset që gjenden në pjesën e vjetër të Prishtinës se do ta mbyllë Tregun e Gjelbër për dy ditë në fundgusht, për ta rrënuar pjesën e tezgave të betonit.
Tregtarët thonë se nuk janë kundër rregullimit të tregut, por se kanë kërkuar që ta shfrytëzojnë kohën më fitimprurëse të vitit.
metr