Arbëri

AKK: Komunat do ta dërgojnë në Kushtetuese Ligjin për tatimin në pronë

Komunat e Kosovës pritet ta dërgojnë Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese, ka njoftuar Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

Sipas AKK-së, me miratimin e këtij Ligji në Kuvendin e Kosovës komunat do të humbin me dhjetëra miliona euro dhe miratimi i tij pa konsulta paraprake me komunat e ka cenuar autonominë lokale financiare.

“Duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe Komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marrë parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij Kushtetues”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Sipas Asociacionit me këtë Ligj janë cenuar rëndë përgjegjësitë komunale dhe se ky Ligj ka ndikim të drejtpërdrejt në zvogëlimin e të hyrave të komunave, afektim në projektet kapitale dhe debalancim mes projeksioneve investuese dhe të hyrave vetanake, si të hyrat kryesore të pushtetit lokal.

Më tej në reagimin e AKK-së thuhet se Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës (MFTP) mori vendim që ta ndryshojë Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Paluajtshme ku gjatë procesit të amendamentimit nuk i konsultoi fare Komunat e Kosovës.

“Kryetarët e Komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga niveli qendror që të konsultohet sa i përket amandamentimit të këtij ligji sepse ky ligj i prek në mënyrë të drejtpërdrejtë buxhetet e Komunave. Pastaj, MFTP-ja e dërgoi për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës këtë projekt ligj pa konsulta me Komunat. Qeveria e miratoi si të tillë dhe e procedoi për miratim në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. “As Parlamenti i Kosovës nuk e diskutoj këtë projekt ligj me Komunat dhe më procedura të përshpejtuara e miratoi edhe në lexim të dytë. Në këtë ligj, në Kapitullin II / Falja e Tatimit në Pronë për vitin tatimor 2023 Neni 11/B thuhet që: Pika 1. Shuma e faljes së Tatimit në Pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së Tatimit në Pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro në pajtim me dispozitat e këtij kapitulli. Pika 2. Vendimi për faljen e Tatimit në Pronë merret nga Kuvendi i Komunës i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, sipas kufizimit të përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni”, thuhet në reagim.