Arbëri

AKK-ja konstaton se nuk pati konflikt interesi në konkursin e doktoratës

Në rastin e pranimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik dhe të Mjekësisë në studimet e doktoratës nuk pati konflikt interesi, ka konstatuar Agjencia Kundër Korrupsionit, përmes një opinioni ligjor. Universiteti i Prishtinës kishte kërkuar sqarime nga AKK-ja nëse pati konflikt interesi, meqë në këto fakultete u pranuan disa fëmijë të stafit akademik, vlerësimi i të cilëve nuk u bë nga komisione të jashtme

Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se nuk ka pasur konflikt interesi gjatë pranimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik dhe të Mjekësisë në studimet e doktoratës. Tre muaj pas kërkesës së Universitetit të Prishtinës për një sqarim rreth kësaj çështjeje, Kundër Korrupsioni ka nxjerrë një opinion ligjor.

Sipas opinionit të AKK-së, asnjëri nga anëtarët e familjes së stafit akademik nuk ka qenë i përfshirë dhe nuk ka pasur rol vendimmarrës në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për pranim në studimet e doktoratës.

“Prandaj, edhe pse mund të duket, afërsia familjare apriori nuk paraqet situatë të konfliktit të interesit sipas dispozitave të Ligjit për parandalimin e interesit dhe legjislacionit në fuqi të UP-së”, thuhet në opinion ligjor.

AKK-ja ka rekomanduar që Universiteti i Prishtinës, në kuadër të akteve të brendshme normative, të parashohë rregulla të veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit, konform fushëveprimit. Po ashtu që përbërja e këshillave të doktoratës në njësitë akademike të jetë e kombinuar me mundësinë e prezencës së anëtarëve të jashtëm.

Kundër Korrupsioni gjithashtu ka kërkuar që përpilimi i testeve të provimit pranues të bëhet sipas standardeve më të larta akademike, ku përfshihen pyetjet e kombinuara.

“Përzgjedhja e anëtarëve të këshillave të doktoratës si dhe hartimi i pyetjeve për provimet pranuese të bëhen ditën e mbajtjes së provimit. Të formohen komisione të veçanta për hartimin e pyetjeve dhe këshilla të veçanta për studime të doktoratës, të cilët duhet të obligohen që me emërimin e tyre në këto komisione të bëjnë deklarimin paraprak të interesave private të mundshme në raport me kandidatët, duke i nënshkruar deklaratat paraprake të interesave private”, thuhet në opinion ligjor.

Procesi i studimeve të doktoratës për të pranuarit në këtë vit akademik në këto dy fakultete është pezulluar. Kjo pas dyshimeve të ngritura se aty u pranuan fëmijët e stafit akademik pa u formuar komisione të jashtme.

“Me kthimin e kësaj përgjigjeje dhe marrjen e opinionit përfundimtar se është gjithçka në rregull me këtë aspekt procedural, ne do të vazhdojmë me implementimin e plotë në këto dy njësi akademike për çka mund të themi se edhe përkundër këtij problemi që është shfaqur, në këtë procedurë janë edhe disa shkelje të tjera procedurale të cilat janë në kundërshtim me Rregulloren për studime të doktoratës, të cilat ne edhe i kemi paraqitur”, ka deklaruar prorektori i UP-së, Kurtesh Sherifi.

Përveç nga Kundër Korrupsioni, AKK-ja ka kërkuar një opinion ligjor për këtë çështje edhe nga Avokati i Popullit dhe është në pritje të tij.

Studentët e Fakultetit Ekonomik dhe të Mjekësisë që u pranuan në doktoratë kanë paralajmëruar për të hënën protestë para Rektoratit, për shkak të pezullimit të studimeve. Ata kanë protestuar edhe të premten.