Policia e Kosovës të hënën ka lansuar fushatën “Festo me zemër, jo me armë” për ndërgjegjësimin kundër përdorimit të armëve gjatë festave.
Majori i Policisë së Kosovës, Ramadan Ahmeti, ka thënë se çdo vit konfiskohen rreth 1,500 armë të ndryshme në vend, ndërsa shqetësuese ka theksuar se është gjuajtja në ahengje.
“Rregullisht Policia gjatë një viti konfiskon 1200-1500 armë të ndryshme në situata të ndryshme brenda Republikës. Shqetësuese për Policinë është gjuajtja gjatë festave sepse ato bëhen në gazmend dhe aty ka njerëz që frikësohen, mundësia e lëndimit është shumë e madhe sepse çdo plumb që del nga tyta kthehet në tokë”, ka thënë ai në “60 Minuta”.
Ahmeti ka thënë se shumica e armëve që konfiskohen janë pistoleta. Ai ka treguar sa armë u konfiskuan përgjatë dy vitesh.
“Më 2022 numri i rasteve ku janë përdorur armë në ahengje ka qenë 133, ndërsa më 2023 kanë qenë 93. Armët që janë sekuestruar kanë qenë 155 më 2022 dhe më 2023 kanë qenë 107 armë vetëm në ahengje”, ka përfunduar ai.