Ish-anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti, me tri video nga viti 2019 ka dalë me sqarim pas akuzave ndaj tij se ka qenë përkrahës i idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje përfundimtare.
Për të kundërshtuar akuzat ai ka publikuar tri video nga deklarimi i tij atë kohë. Ai aty dëgjohet teksa thotë se është kundër shkëmbimit të territoreve.
“Qëndrimi im për shkëmbimin e territoreve si publik ashtu edhe privat - dihet. Këtë qëndrim e kam shprehur gjithkund. Me insistimin tonë (Visarit e Dugagjinit) dhe me aprovimin e gjithë anëtarëve të delegacionit e kemi pas në platformë e që pastaj është votu nga Kuvendi se kufijtë janë të padiskutueshëm. Një kolege nga Bosnja me të cilën kemi qenë në panel ne Washington e ka përmend një diskutim joformal me Palmer ne një ‘cocktail’. Unë nuk kam qenë në atë diskutim. Meqenëse në postim e ka përmend që ka qenë në panel me mu më herët, disa njerëz kanë lidh paralele me mu. Mund ta pyetni edhe Sabinën (mediat) por më e mira është që ky panel para thinktank-ave të dhe opinion-bërësve në DC ka qenë publik dhe është online”, ka thënë ai.
Çudiq në shkrimin e saj ka përmendur edhe ish-ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, për të cilën ka thënë se i ka dalë në mbrojtje Palmerit “se përse po ndërhyja në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë?” Çitaku ka refuzuar ta komentojë postimin.