Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një vizitë që i ka bërë sot vendpunishtes ku po ndërtohet Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen Veternik, ka premtuar se kjo QMF do të finalizohet sivjet.
Ahmeti ka theksuar se kjo QMF do të ofrojë të gjitha shërbimet sikur qendrat tjera të mjekësisë në kryeqytet.
“Me këtë Qendër zgjerohet rrjeti i shërbimeve shëndetësore publike në Prishtinën e re. Qendra pritet të përfundojë deri në fund të vitit, si dhe do të mbulojë të gjitha shërbimet që përfshinë mjekësia familjare përfshirë laboratorin dhe biokiminë”, ka thënë Ahmeti.
Tutje Ahmeti ka thënë se Prishtina është komuna e vetme që ofron një gamë testesh edhe laboratorike, “shumë shpesh duke mbuluar edhe hapësirat që kalon Ministria e Shëndetësisë”.
Qendra e Mjekësisë Familjare në zonën perëndimore në lagjen Veternik, është projekti i financuar nga Komuna e Prishtinës dhe ka qenë i gatshëm që nga viti 2019. Projekti arrin vlerën e rreth 463 mijë eurove. Kjo qendër do të ju shërbejë afro 20 mijë banorëve të lagjes Veternik, sipas njoftimit nga Komuna.
Gjatë inspektimeve të punimeve i pranishëm ishte edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi i cili ndër të tjerash bëri të ditur se që nga java e ardhshme, Prishtina do të nisë edhe testet e hormoneve si: T3, T4, TSH, PSA. Këto teste do të realizohen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.