Publikimi i disa fotove të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku ai shihet brenda një jahti në bregdetin e Malit të Zi, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
Në këto foto, të cilat nuk dihet nëse janë autentike, Ahmeti shihet i ulur në jahtin me emrin “Megalodon”, i cili, sipas gazetës online, “Metro”, që i ka publikuar fotot, është pronë e biznesmenit kosovar nga Peja, Blerim Devolli.
“Koha Ditore” u ka dërguar pyetje edhe Ahmetit, edhe zyrtarëve për informim të Komunës së Prishtinës lidhur me fotografitë e publikuara dhe takimin e supozuar në jahtin në Mal të Zi, por ata nuk kanë dhënë shpjegime rreth fotove.
Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë, kryesisht nga LDK-ja, të dielën kanë komentuar me ironi në rrjetet sociale lidhur me fotot e publikuara me Shpend Ahmetin në jaht.
Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi ka shkruar në Facebook se Ahmeti nuk po i përmbahet motos së VV-së “Duaje tënden”, sepse sipas tij në jahtin ku po qëndronte kreu i Prishtinës, nuk ka elemente shqiptare.
Nëpërmjet një statusi në Facebook ka ironizuar edhe Sokol Havolli, shefi i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa.
(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.