Arbëri

Ahmeti: Alternativa nuk i bashkohet PSD-së

21:31 - Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së, dëshiron të ribashkohet me ish-bashkëpartiakun e tij, Ilir Dedën, tash anëtar i Alternativës, por thotë se kjo nuk do të ndodhë tash.

Në Rubikon të KTV-së, Ahmeti ka thënë se e sheh këtë parti si më afër PSD-së se sa që kishte qëndrime të përbashkëta me LDK-në me të cilën ishte në një Grup Parlamentar deri vonë.

“Nuk do të bashkohet Alternativa më neve. Vullneti e dëshira jonë do të ishte që t’i ftojmë ata të jenë me neve në grupin parlamentar. Nuk i kemi ftuar në subjekt pasi i kanë degët e tyre dhe qëndrimet e tyre por janë më afër me neve se sa ishin me LDK-në”, ka thënë Ahmeti.


Ahmeti e konsideron të padrejtë taksën prej pesë eurosh në Rrugën e Kombit

21:10 - Shpend Ahmeti, kryetari i komunës së Prishtinës, ka thënë se taksa prej pesë eurosh për Rrugën e Kombit është e padrejtë.

Në Rubikon të KTV-së ai ka thënë se fakti që qytetarët s’kanë rrugë alternative dhe moskujdesi për bizneset e bën të padrejtë dhe të lartë këtë shifër.

“Kam qëndrim personal dhe profesional. I kam thënë edhe kryeministrit Edi Rama që autostradat mirëmbahen. Ose prej taksave ose prej atyre që përdorin rrugën. Rruga po përdoret dhe kur përdoret amortizohet. Problemi është se një qeveri mund të subvencionojë rrugën e interesit nacional. Është e padrejtë të paguhet kjo rrugë dhe e dyta kur nuk ke rrugë tjetër është detyrim të paguhet pesë euro”, ka thënë Ahmeti, që ka shtuar se beson që Shqipëria do të ndërrojë vendimin për bizneset e Kosovës.

“I thash edhe Ramës që ti ndoshta ki menduar si grup interesi për Kukësin (për zbritjen), por s’ka menduar për Kosovën për bizneset, kamionët dhe autobusët sepse vajtje ardhje një kamioni i kushton 23 euro. Mos u sill vetëm si kryeministër i Shqipërisë. Do të reflektojnë besoj fuqishëm”, ka deklaruar Ahmeti.


Ahmeti tregon kushtin për të votuar ekipin qeveritar për dialog

20:47 - Opozita edhe mund ta votojë ekipin e propozuar nga Qeveria për negociatat me Serbinë.

Shpend Ahmeti në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se nëse arrihet një dakordim për platformën, atëherë mund të votojnë ekipin.

“Nuk e di sa është e mundshme por po besoj që e kanë pa te gjithë që vetë nuk po munden. Presidenti është presidenti, e ka rolin e vet ama jo për të negociuar. Vuciqi e ka fuqinë politike për të negociuar mirëpo tek ne jo”, ka thënë ai.

“Derisa ne nuk po ulemi të diskutojmë, ai po shkon e po diskuton atje, po u thotë që ata janë pikë e pesë atje, unë jam këtu”, ka thënë Ahmeti.


 Ahmeti thirrje publike LDK-së e VV-së për të rrëzuar qeverinë

20:43 - Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së, në Rubikon të KTV-së i bëri thirrje publike Lidhjes Demokratike që ta thërrasë opozitën në një takim, duke qenë partia më e madhe opozitare.

Ai tha se është opsion që takimi të bëhet në shtëpinë e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa për shkak te gjendjes shëndetësore.

“Të shkojmë në shtëpinë e Isa Mustafës për shkak të gjendjes shëndetësore, le të vjen edhe Albin Kurti apo kushdo nëse nuk do ai me ardh, vi unë, ta bëjmë një rezolutë opozitare dhe të shohim se si mund ta rrëzojmë këtë qeveri”, ka thënë Ahmeti.

Ai madje foli edhe për seancat ku pozitë e opozitë dështuan t’i mbajnë, për çka bëri të ditur se kishin biseda të vazhdueshme me Nismën, e cila pajtohej që t’ua bënte numrat për seancë.


Ahmeti thotë se VV-ja s’po e ndal inatin ndaj PSD-së pavarësisht rrezikut për korrigjim kufijsh

20:37 - Rreziku i korrigjimit të kufijve nuk po e ndal inatin e Vetëvendosjes karshi partnerëve të dikurshëm, sipas kryetarit të PSD-së, Shpend Ahmeti.

“Le ta kuptojnë Vetëvendosja e LDK që na nuk jemi vagonë në trenin e tyre dhe si të thonë ata, na hop e kërcejmë”, ka thënë Ahmeti në Rubikon të KTV-së.

“Vetëvendosja e ka për inati, dalin në media dhe thonë opozita e nëse përnjëmend e kemi me ndalë Thaçin, atëherë duhet t’i kalojmë këto inate. Kosova është më e madhe se Vetëvendosja e PSD”, ka thënë ai.


Ahmeti komenton deklaratat e ndërkombëtarëve për idenë e korrigjimit të kufijve

20:25 - Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka komentuar deklaratat dhe qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare karshi idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve.

Ai përmendi deklaratat e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe atyre të BE-së, të cilët thonë se pajtohen “nëse arrihet një marrëveshje mes dy palëve”

“Ka interesa të ndryshëm që në momente të ndryshme thonë kështu duhet të ja bëjmë mirëpo shihet që nuk ka diçka vendimtare të qartë se çka duhet të bëhet. por inatet tona të brendshme mund të na çojnë në diçka që nuk mund ta ndryshojmë më vonë”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti për këtë thotë se të dy presidentët, ai kosovar dhe ai serb, kanë dhënë sinjale që mund të kenë marrëveshje mes veti.

Ahmeti ka bërë të ditur se në Bruksel u është thënë se çdo gjë është në tavolinë dhe çdo gjë po diskutohet në çdo drejtim.

“Një proces totalisht jotransparent, të cilin duhet ta kthejmë në binarë. Ta përfshijmë edhe shoqërinë civile, nuk ka tema tabu për neve më”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa për seancën e së enjtes, Ahmeti ka thënë se mund të ketë takime me grupet opozitare edhe sonte e nesër para seancës pasi do të insistojnë që të votohet rezoluta.


Ahmeti thotë se Thaçi e pranoi Limajn në dialog “sepse pa që s’ka përkrahje”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka pranuar emrin e Fatmir Limajt për udhëheqës të ekipit qeveritar në dialogun me Serbinë sepse “ka kuptuar që s’ka përkrahjen e plotë”.

Në Rubikon të KTV-së, Ahmeti duke folur për letrën e opozitës drejtuar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se kjo letër ka qenë propozim i LDK-së.

“Ka zgjatë dy tri ditë dhe është propozim i LDK-së. Zakonisht ne jemi përgjigj kësaj ftese edhe pse të tjerët shpesh nuk u janë përgjigjur ftesave tona”, ka thënë Ahmeti.

“Ne kërkojmë një ofertë serioze që të përfshihemi në proces”, ka thënë ai, sa i përket dialogut me Serbinë.