Arbëri

Ahmetaj: Qeveria i prishi urat e bashkëpunimit, dialogu pa rezultat

Mimoza Ahmetaj - PDK

Ish-ministrja e integrimit evropian, Mimoza Ahmetaj, aktualisht nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka deklaruar se Qeveria Kurti e ka humbur momentumin e krijuar në situatën gjeopolitike, duke shtuar se raportet me bashkësinë ndërkombëtare janë acaruar “deri në vendosjen e sanksioneve”.

Ahmetaj ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se dialogu po vazhdon pa ndonjë rezultat “për faj të politikave të gabuara”.

“Qeveria s’diti ta lexojë situatën dhe t’i avanconte raporte. Ne i prishëm të gjitha urat e bashkëpunimit sikur e gjithë bota të ishte kundër nesh. Qeveria e ka lexuar gabimisht, jemi acaruar me shtetet partnere e fakti që ky dialog po vazhdon pa rezultat është rezultat i politikave të gabuara tona. Kur bota është në zgjedhje, është e pamundur të arrihet ndonjë progres. Fundi i vitit të ardhshëm do të ketë pasqyra reale kah të orientohet dialogu”, ka shtuar ajo.

Sipas nënkryetares së PDK-së, as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e as presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk janë të interesuar për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“...Interesi i Vuçiqit është të ndajë Kosovën, e mos të angazhohet për themelim të Asociacionit. Po e shfrytëzon si monedhë shkëmbimi për të arritur diçka në raport me Kosovën. Serbia është bërë problem për rajonin e edhe për vetveten... Ideja e Vuçiqit dhe e Pputinit është ndarja e Republikës Serbe dhe e territorit të Kosovës”, është shprehur Ahmetaj.

Ajo ka shtuar se Serbia është e obliguar t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara me Kosovën, pasi sipas Ahmetajt, anëtarësimi në Bashkimin Evropian “varet nga këto çështje”.