Në oborrin e Mustafë Sahitit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore, forcat serbe vranë djem e burra të pafajshëm, dhe dhunuan vajza e gra. Të mbijetuarit, por edhe familjarë të të vrarëve, prej vitesh nisën betejën për ta kthyer këtë shtëpi në muze. Oborri tani ligjërisht është nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, por kanë dështuar tri përpjekje për realizimin e projektit muzeor
Igballe Azemi e viziton disa herë në ditë shtëpinë ku më 15 prill 1999, forcat paramilitare serbe ia vranë të birin 25-vjeçar, Minir Azemi. Shpesh merr me vete edhe nipin e mbesën e djalit tjetër. Bashkë me Minirin karateist, u vranë edhe 10 djem e burra të tjerë në oborrin e Mustafë Sahitit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore.
“Për çdo ditë, unë vij e nuk kaloj pa ardhë më së paku, vij e përshëndetem me të”, thekson me zërin e përvajshëm Igballe Azemi, pa ia lëshuar dorën e djathtë mbesës njomake.
Ndërkohë, me po të të njëjtën dorë prek me radhë shkronjat e emrit dhe numrat e ditëlindjes dhe ditës së kobshme të vrasjes, shkruar me të zezë në pllakën metalike.
Poshtë listës së viktimave të asaj dite, janë edhe emrat e 11 viktimave të tjera të kësaj lagjeje, të vrarë matanë lumit Ibër në ditët e tjera të pranverës së vitit 1999 nga forcat paramilitare serbe.
Trupat e maskuara serbe do t’i mblidhnin në oborrin e Mustafë Sahitit. Të gjithë banorët e lagjes dhe refugjatët që ndodheshin nëpër shtëpitë do të mblidheshin e burrat e djemtë do të ndaheshin në mesprill. Azemi ende nuk ia ka gjetur të gjitha eshtrat.
“Gjithë ka pasë andrra për sport. Për sport u kanë i gjithanshëm gjithmonë. Sportin ia ka deshtë shpirti, u kanë i dashun, u kanë i butë”, thekson ajo. “E di krej mahalla çfarë sjellje ka pasë”.
“Tha: Njanin munesh me marr, njanin leje”
Nëna Igballe kurrë nuk do ta harrojë momentin kur paramilitarët e detyruan t’ia kthente shpinën të birit, që ende i referohet përkëdhelshëm me Zukë.
“E thirri Emiri: ‘O Minir, o Minir!’ Veç na mbani qështu me duar përmrapa”, përshkruan me dorën e majtë prapa kokës lëvizjen e fundit të të birit para pushkatimit. “Burri m’ka dekë tuj thanë: ‘Ah mor Minir m’le pa zemër, m’le pa sy’”, nuk mbahet më e shkrehet në vaj nënë Igballja që fjalët e fundit i lidhen në grykë. Shtrëngon dhëmbët kur kthen shikimin kah nipi e mbesa.
Edhe Isa Sherifin e detyruan të ndahej me dy djemtë, Sherifi ishte 24 vjeç e Arsimi 20. Ai e di me emër e mbiemër se kush ishin paramilitarët e pjesës veriore të Mitrovicës që ishin pjesë e masakrës masive në lagjen multietnike.
“Njëkohësisht, unë kam tentuar mos me shku se më mbetën dy djemtë, edhe këta rahmetlitë me këmbëngulje që unë me shku”, thekson Isa Sherifi pranë fotografisë së dy djemve pranë vetes në zyrën e vogël të shoqatës së familjeve të personave të pagjetur të Mitrovicës, “Zëri i Prindërve”.
Ndërmjet fotografive janë vendosur ora e Sherifit dhe stilolapsi i Arsimit.
“Ai tash, nuk muj me ditë figurën se janë kanë të maskuar, por njani prej tyne na morën krejt çfarë patëm, ari e pare si ata ma, tanaj kur e heton se thashë se du me nejtë, m’u kthy kështu e tha: ‘A di çka, tha, njanin munesh me marr e njanin leje”, dëshmon Sherifi.
“Aty ka pasë edhe dhunime t’femnave që bërtitshin”
Bajram Çerkini, që udhëheq organizatën joqeveritare “Zëri të Prindërve”, thotë se shtëpia e Mustafë Sahitit është dëshmia më e fortë jo vetëm e Mitrovicës për t’i dëshmuar botës krimet e kryera nga regjimi serb mbi shqiptarët e pafajshëm.
“Një pikë që e kemi na në Mitrovicës, mjerisht të ndame Mitrovicën, pikë ma e fortë m’i dhanë mend çdonjanit dhe me i tregu çdonjanit çka ka mujtë me ndodhë te një popull i pambrojtur është pika e Mahallës së Boshnjakëve në Mitrovicë, është shpia muze”, thekson ai, duke treguar se pse është ruajtur shtëpia.
“Pse na kemi kërku të ketë një renome më të madhe. Aty kanë ndodhë tri sene që, thonë ni fjalë, na shtinë për së gjalli në dhe. Cilat janë ato: Nën një, aty u tubunë njerëzit që as toka s’i zake e leje ma ajo shpi. Nën dy, u dajtën fëmijët më të dashun prej babe, prej nane. Dhe nën tre, i çun dhe i ekzekutuan dhe i fshehën”, thekson Çerkini, duke iu referuar fshehjes së trupave në lokacione të ndryshme.
Ende nuk janë gjetur mbetjet mortore të njërës prej viktimave.
“Çka ka ndodhë hala aty”, shton Çerkini, duke ngrysur fytyrën e ulur zërin. “Motrat na i kanë çnjerëzu, vajzat na i kanë çnjerëzu”, thotë ai.
Këtë e mbështet edhe Isa Sherifi.
“Njëkohësisht qaty ku jeni kanë, aty ka pasë edhe dhunime të femnave që bërtitshin, bërtitshin. Ne m’i pa s’i kena pa, ama sipas zhurmës u dike që diçka u kan”, thekson ai.
Lufta për ruajtjen e shtëpisë përkujtimore
Në shtëpinë e xhaxhait të ndjerë, Mustafës që kishte mbijetuar masakrën, Bujar Sahiti, të cilit ia vranë baba Osmanin, edhe sot habitet se si nuk e vranë edhe atë pasi ishte një shtatëmbëdhjetëvjeçar shtatgjatë. Osmani një ditë para vrasjes do t’i mbushte 47 vjet. Ndërkaq Besimi, i biri i Mustafës, ishte 22 vjeç.
“Kur kena ardhë te mixha këtu në 9:30, këtu kanë ardhë paramilitarët me maska dhe na kanë plaçkitë”, thekson Bujar Sahiti përpara fotografive të familjarëve dhe viktimave tjera në ballë të objektit, ku ende shihen vrimat e plumbave të armëve të gjata. “Na kanë tubu dhe veç kanë ba me dorë: ‘Ti nalu qëtu, ti nalu qëtu!’ Babën më nalën, mixhën e nalën. Masi kena dalë te ura kanë qitë me automat. Mixhën e lëshunë”, thekson ai.
Bujar Sahiti do ta gjente trupin e babait në varret e lagjes në veri të Mitrovicës, derisa mbetjet mortore të tri viktimave ishin gjetur në dy dhomat dhe në garazhën e xhaxhait të tij. “Djalin e mixhës e kemi gjetë n’oborr t’Bajram Rexhepit”.
Familja Sahiti deshi që të ruhej një pjesë e objekteve të oborrit, ku u vranë shqiptarët civilë.
Disa ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kryetari i atëhershëm i Mitrovicës, i ndjeri Bajram Rexhepi, u kishte kërkuar shqiptarëve të veriut që të tregonin maturi kundrejt provokimeve serbe, por aktivisti Fevzi Beqiri do ta merrte qëllimshëm i fundit fjalën duke kërkuar mbështetje që shtëpia të blihej nga komuna e të kthehej në muze.
“Jena ba qëta na, i kemi çu do fotografive që në nifar mënyre me simbolizu se ka qenë masakër e atyhit”, thekson Isa Sherifi.
“Mbledhja po mbahej pesëdhjetë metra prej këtij vendi”, kujton Beqiri në oborrin e shtëpisë përkujtimore. “E thashë në qat shpi, janë ba masakrat ma makabre, prej adoleshentave dhe një plake që u kanë 83-4 vjeçe kojshi në karrocë, thashë këtu u ba një gjenocid i kullueshëm”, shpalos pjesë të fjalimit të atëhershëm Beqiri, duke shtuar se i pranishëm ishte edhe komandanti serb i policisë për pjesën veriore të qytetit të ndarë. “Thashë kërkoij me parandalu këtë shitje dhe me bisedu me pronarin”.
Oborri tani ligjërisht është nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, por Beqiri thotë se kanë dështuar tri përpjekje për realizimin e projektit muzeor. Ai dhe familjarët e viktimave kërkojnë që të ndërtohet edhe një objekt në vendin e shtëpisë së djegur e të rrënuar të Mustafë Sahitit për t’u bërë vend shoqatave të personave të pagjetur.
“Edhe kur të vijnë ndërkombëtarët, edhe kur të vijnë bota këtu me pa, midis-disit, midis qytetit u ba një masakër”, thekson Beqiri me pezm.
Ai thotë se oborri po rrethohet e mbetet në hije të ndërtimeve të larta e të paligjshme të strukturave serbe në Lagjen e Boshnjakëve në oborret e blera nga familjet shqiptare.
Disa familje të ndërtesave gjashtëkatëshe hapin dritaret kur shohin ekipin e KOHËS. “Këqyre qysh s’iu ikë sen”, thekson një familjar i viktimave.
Beqiri ndërkohë thotë se nuk është nxjerrë askush para drejtësisë për masakrën e Mahallës së Boshnjakëve.
Bujar Sahiti thotë se është intervistuar njëherë, por askush më nuk e ka njoftuar asgjë.
Beqiri është i bindur se kriminelët janë në institucione të Kosovës. “Edhe s’ua ninë hiç”, ngulmon ai.
“N’tjetrin vit duhet m’i ndalu do gjana”
Familjarët e viktimave druajnë se objekti mund të ngelet në këtë gjendje për shkak të mungesës së gatishmërisë së institucioneve lokale e qendrore për ta marrë përsipër mbikëqyrjen faktike.
“Janë ardhë kur kena pas përvjetore, a me na nimu a me nreq muzeun, kurrgjo”, thekson Bujar Sahiti. “Tash duhet na me Fevzinë edhe sivjet m’i lanë qështu, n’tjetrin vjet duhet m’i ndalu do gjana”.
Lartë valojnë flamujt e rreckosur kombëtar e të Kosovës. Dielli ua ka ndërruar ngjyrat.
“Zëri i Prindërve” ka shprehur gatishmëri edhe në prag të Ditës së të pagjeturve në Mitrovicë – që shënohet çdo 15 prill – që të ndihmojë institucionet me ofrimin e qindra artefakteve të viktimave për t’i ekspozuar në shtëpinë përkujtimore në “Lagjen e Boshnjakëve”.
“Në fillim, me të tregu nja pesë-gjashtë vjet a ma shumë nashta, shumë zor më ka ardhë, por tash jam pajtu dhe ma lehtë e kam kur vij e të shoh këtu”, thekson Azemi, që rastis të ndeshet në rrugë me fqinjët serbë që dominojnë rrugicën pas blerjes së shtëpive të shqiptarëve.
Ajo dhe familjarët e tjerë të viktimave shpresojnë se në përvjetorin e ardhshëm, kur do të bëhen çerekshekulli nga dita e vrasjes së 11 civilëve, do të shohin së paku nisjen e punimeve për t’ua ekspozuar të rinjve dhe vizitorëve artefaktet e viktimave të 15 prillit 1999.
E nënë Igballja do të vazhdojë të vizitojë përditë vendin ku ia vranë të birin. Do të vazhdojë të flasë me shkronjat e emrit të Minirit. Sikur se do t’u rrëfejë edhe nipave e mbesave për vrasjen e ëndrrave të xhaxhait karateist.