Arbëri

Agjencia për Informim dhe Privatësi gjobit KRU “Prishtinën” e KESCO-n me nga 25 mijë euro

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka gjobitur me nga 25 mijë euro kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” dhe atë për furnizim me energji elektrike “KESCO”. Shkak për këtë janë shkeljet e vazhdueshme të privatësisë duke shpërndarë faturat pa zarfe.

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” dhe ajo për furnizim me energji elektrike KESCO janë gjobitur me nga 25 mijë euro nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Shkak për këtë është bërë dërgimi i faturave të konsumatorëve pa zarfe.

Në vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për KRU “Prishtina” thuhet se agjencia ka pranuar ankesa nga konsumatorët se kjo kompani vazhdon të dërgojë faturat e shpenzimit të ujit në mënyrë të hapur pa zarfe, të vendosura në kuti postare, gjysmëjashtë edhe pas vendimit paraprak të AIP-it, duke i bërë të qasshme edhe për palët e treta.

“Agjencia konstaton se kontrolluesi me rastin e shpërndarjes së faturave me të dhëna personale te konsumatorët e saj nuk ka marrë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshme ndaj rreziqeve të përfshira në përpunimin e të dhënave personale nga ai dhe me këtë rast ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me nenin 4, paragrafin 6 dhe nenin 31 të Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të dhënave Personale”, thuhet në vendimin e AIP-it.

KRU “Prishtina” në një shkresë për AIP kishte thënë se nga muaji korrik i 2024-tës ka filluar zbatimin dhe aplikimin e formës së shpërndarjes së faturave me zarfe të mbyllura.

Por, sipas Agjencisë KRU “Prishtina” edhe pas vendimeve paraprake dhe gjobave të shqiptuara nga Agjencia dhe urdhrit për ndërmarrjen e masave ka vazhduar të dërgojë faturat e shpenzimit të ujit në mënyrë të njëjtë.

Një gjobë prej 25 mijë eurosh për arsyen e njëjtë i është shqiptuar edhe KESCO-s.

Në vendimin e Agjencisë thuhet se ka marrë ankesa nga një qytetar për shpërndarjen e faturave në korridore të banesës dhe para ashensorit të ndërtesës.

“Agjencia për caktimin e vlerës së gjobës kundërvajtëse ka marrë parasysh kriteret e përcaktuara në nenin 91, paragrafin 1 të LMDhP-së, me theks të veçantë natyrën, rëndësinë dhe kohëzgjatjen e shkeljes, kategorinë e të dhënave personale, kriteret mospërfillëse dhe të qëllimshme të shkeljes, pasi që kontrolluesi ka qenë i paralajmëruar se një veprim i tillë është i kundërligjshëm. Përveç kësaj është marrë për bazë edhe praktika gjyqësore e vendosur në vendin tonë për çështjen e njëjtë, për të cilën kontrolluesi ka pasur njohuri”, shkruan në vendimin.

Nuk është hera e parë që këto dy kompani janë gjobitur nga AIP për shkelje të të dhënave personale të konsumatorëve.

Në gusht të vitit të kaluar, KESCO kishte deklaruar se ka vështirësi për të implementuar shpërndarjen e faturave me zarfe.

Shkak sipas kësaj kompanie është mungesa e kutive postare dhe adresave.

Kjo kompani kishte bërë thirrje për alternativa të tjera duke e quajtur esencial “bashkëpunimin ndërinstitucional që të gjendet zgjidhja sa më e mirë dhe sa më efikase, benefitet e të cilave do t’i korrnin konsumatorët fundorë”.