Arbëri

Agjencia e Kosovës për Akreditim do të riaplikojë brenda pak muajve në ENQA dhe EQAR

Agjencia e Kosovës për Akreditim është duke u përgatitur që brenda pak muajve të riaplikojë për rikthim në ENQA e më pas edhe në EQAR. Në këtë institucion presin që deri në mesin e vitit të ardhshëm t’i plotësojnë kriteret për pranim.

Por, sipas drejtorit të Agjencisë, Naim Gashi, kriteri më i vështirë është miratimi i ligjit për Agjencinë, i cili nuk është hartuar ende edhe pse ka qenë kusht për ripranim.

Gashi i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Qeverisë dhe Kuvendit që në procedurë të përshpejtuar të miratojnë këtë ligj konform rekomandimeve të ENQA-s meqë pa miratimin e tij, thotë se nuk kanë pse të aplikojnë.

“Ne planifikojmë që ta miratojmë planin strategjik në pjesën e parë të vitit 2021 dhe kur të shkojmë në ENQA do të shkojmë me rezultate konkrete të miratimit të atij plani, për këtë arsye edhe ligji është mirë të miratohet sa më parë dhe ne kur të aplikojmë në ENQA duhet të shkojmë atje me një vendim të Parlamentit të Kosovës dhe ndikimin që ky ligj ka pasur në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë”, tha Naim Gashi, Drejtor i Agjencisë.

Ka shtuar se tashmë kanë hartuar një plan dinamik për kthimin e Kosovës në ENQA, të cilin ia kanë dërguar Ministrisë së Arsimit, partnerëve ndërkombëtarë e institucioneve të tjera.

“Kriter kryesor është pavarësia dhe moscenimi i pavarësisë së AKA-së, mandej funksionalizimi i Agjencisë, zgjerimi i stafit, zgjerimi i zyrave, miratimi i procedurave për monitorimin, dhe disa kritere më të vogla një pjesë të të cilave tashmë i kemi plotësuar”, tha tutje Gashi.

E këshilltarja e ministrit të Arsimit, Diellza Kukaj, ka thënë se tashmë është krijuar grupi punues për hartimin e projektligjit dhe një grup këshillëdhënës që do të ndihmojnë në këtë proces. Sipas saj, parashohin që projektligji të dorëzohet para shtatorit.

“Siç dihet çdo projektligj dhe akt nënligjor duhet të kalojë në disa procedura administrative, si ai i diskutimit paraprak dhe diskutimit publik, edhe këto procedura i kanë afatet kohore”, tha Diellza Kukaj, Këshilltare në MASH.

Në vitin 2014, AKA-ja u pranua në ENQA, kurse në vitin 2015 në EQAR, mirëpo të dyja e përjashtuan për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë agjenci të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, dhe ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.