Arbëri

Agjencia e Barnave largon nga puna ish-kryeshefin

Agjencia e Barnave e ka përjashtuar nga puna ish-kryeshefin, Ardian Rugova. Në këtë institucion thanë se Rugova kreu katër shkelje të rënda, por ai i mohoi dhe paralajmëroi ankesë kundër vendimit

Agjencia e Barnave ka më shumë se pesë vjet që ka dështuar ta zgjedhë kryeshefin e ri. Gjatë kësaj kohe, institucioni është menaxhuar me disa ushtrues detyre, e njëri nga ta është përjashtuar nga puna muajin e kaluar.

Ardian Rugova ka qenë zyrtar i lartë në këtë institucion e ushtrues detyre i kryeshefit të AKPPM-së deri vitin e kaluar, kur ushtrues detyre u bë Sejdë Tolaj.

Në muajin tetor, Tolaj e çoi Rugovën në Komision Disiplinor për katër shkelje të supozuara. Më pas, për Rugovën, Komisioni ka vendosur masën e largimit të përhershëm nga Shërbimi Civil.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, AKPPM-ja arsyetoi vendimin, duke theksuar se shkelja e parë e Rugovës ishte për shkak që për 4 ditë nuk i është përgjigjur kryeshefit në një email, e që sipas këtij institucioni, përgjigjja ishte shumë e rëndësishme. Arsyeja e dytë, sipas AKPPM-së, është nxjerrja e një dokumenti konfidencial prej Agjencisë së Barnave për në SHSKUK. Arsyeja e tretë lidhet me evidentimin e vijueshmërisë për të dhe vartësit e tij, e arsye e fundit është mbarëvajtja e punës në departamentin e Marketingut që Rugova e drejtonte.

Në këtë institucion thanë se katër shkeljet e pretenduara i ka konfirmuar Komisioni Disiplinor.

“Andaj, moskryerja e detyrave të punës brenda afateve ligjore, e që është në kompetencat e drejtorit të Departamentit të Autorizim Marketingut z. Ardian Rugova, konsiderohet mosrespektim i detyrave të punës, neglizhencë dhe mospërmbushje e detyrave të punës. Me këtë rast, Komisioni Disiplinor, pas analizës dhe shqyrtimit të hollësishëm të provave, dëshmive dhe fakteve, si dhe duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ndaj z. Ardian Rugova shqipton masën disiplinore “Largim nga Shërbimi Civil”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.

E, ish-kryeshefi i AKPPM-së dhe ish-drejtori i departamentit të Marketingut, ka paralajmëruar ankesë kundër vendimit.

“Po kanë marrë vendim Komisioni Disiplinor për me m’largu nga Shërbimi Civil. Do ta ankimoj. Ende nuk e kam ankimu. Po i ndjek rrugët ligjore, dhe me e pa pastaj”, ka thënë Rugova.

Ai ka treguar se nuk është paraqitur fare në Komision Disiplinor, pasi ka thënë se në atë kohë ka qenë në pushim mjekësor. Rugova ka mohuar akuzat e institucionit që dikur vetë e ka udhëhequr.

“Edhe me qenë ashtu siç kanë thënë, ato janë shkelje procedurale, jo penale. Por, sidoqoftë është vendimi i tyre, i kryeshefit”, ka thënë ai.

Agjencia e Barnave që pesë vjet ka ndërruar disa herë ushtruesit e detyrës së kryeshefit. Edhe në të kaluarën kur ka pasur kryeshef me mandat të plotë, institucioni vazhdimisht është shoqëruar me skandale, arrestime e suspendime.