Këtë të hënë ka filluar aksioni për shkyçjen nga furnizimi me ujë për të gjithë konsumatorët e kategorive të bizneseve, të cilët kanë më shumë se një faturë të papaguar ndaj kompanisë rajonalë të ujësjellësit “Prishtina”.
Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit, ka thënë se që nga fillimi i aksionit, konsumatorët veç se kanë filluar të paguajnë borxhet e tyre.
“Të gjithë konsumatorët të cilët janë të kategorisë së bizneseve dhe kanë më shumë se një faturë të papaguar do të shkyçen nga pjesa e furnizimit me ujë për shkak të borxhit të akumuluar. Sot jemi në aksion me të gjitha ekipet e shpëtimit brenda zonës urbane. Jemi me katër ekipe vetëm në pjesën qendrore ose në zonën urbane të qytetit të Prishtinës”.
Ai ka shtuar se po të paguhej vetëm gjysma e borxhit, kjo kompani do të operonte më mirë dhe të gjitha do të kontribuonin në investime kapitale për shërbimet ndaj konsumatorëve.
Ndërsa pronarët e bizneseve që janë shkyçur duke mos dashur të deklarohen para kamerave, janë arsyetuar duke thënë se borxhi i tyre ka qen i trashëguar.
Xhafa ka thënë se aksioni ka dhënë menjëherë rezultate të mira, pasi shton se shumë konsumatorë menjëherë kanë reflektuar me shlyerjen e borxheve.
“Disa prej tyre kanë reflektuar menjëherë, disa prej tyre vetëm janë shkyçur dhe presim që të reflektojnë, sepse dihet që pa ujë nuk mund të funksionojnë. Edhe për ne ka qenë masë e fundit, por pavarësisht gjitha lehtësirave që u kemi dhënë, pavarësisht të gjitha thirrjeve që u kemi bërë ka disa prej tyre që nuk reflektojnë dhe shuma e gjithë këtyre bën afro 7 milionë euro borxh”
Zyrtarët e KRU Prishtina kanë deklaruar se bizneset e shkyçura nuk do të furnizohen me ujë deri sa të paguhen borxhet.