Arbëri

Afro 40 marrëveshje me Shqipërinë hasin në vështirësi zbatimi

Gati 40 marrëveshje të nënshkruara në mes të Kosovës dhe Shqipërisë po hasin në vështirësi për t’u zbatuar ka konfirmuar Qeveria e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, janë duke u bërë analiza të hollësishme për evidentimin e vështirësive që kanë hasur 37 nga 144 marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve.

“Deri më tani janë nënshkruar 144 Marrëveshje, nga të cilat 126 janë në nivel ndërministror dhe 18 janë ndërmjet institucioneve vartëse. Sipas raportimeve nga dy qeveritë, 92 janë në zbatim pa asnjë vështirësi ndërkaq 37 kanë hasur vështirësi në zbatim. Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar po kryen një analizë të hollësishme për evidentimin e vështirësive të hasura nga Palët dhe shumë shpejt presim të kemi një pasqyrim të plotë të këtyre vështirësive”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.

Një nga zotimet e që ka mbetur vetëm në letër, është edhe ai për njohjen e diplomave. Marrëveshja për këtë është nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive në nëntorin e kaluar, por edhe pse palët kishin marrë detyrimin që të kthenin përgjigje brenda 15 ditëve në kërkesa, institucionet kompetente në Shqipëri nuk e kanë respektuar këtë afat. Vonesat janë kryesisht për diplomat e universiteteve private në Shqipëri.

Në një studim të publikuar kohë më parë nga Instituti GAP, Instituti Riinvest dhe Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare, ishte vlerësuar se barrierat tregtare janë ende duke penguar integrimin ekonomik midis dy vendeve.

Një marrëveshje të arritur mes Qeverisë sё Kosovës dhe Këshillit tё Ministrave tё Shqipërisë e ka ratifikuar të mërkurën Komisioni Parlamentar për Legjislacion. Dokumenti ka të bëjë me ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje civile dhe tregtare, e cila pasi ka kaluar në Komision pritet të votohet edhe në Kuvend.

Marrëveshja është arsyetuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është thellimi i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile dhe tregtare në mes të të dyja vendeve, dhe lehtësimi i procedurës ligjore në këtë fushë. Kjo marrëveshje zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë, po ashtu edhe marrëdhëniet e tjera civile apo tregtare të personave fizikë dhe juridikë”, ka thënë Haxhiu.

Marrëveshja u votua unanimisht në Komision.

Më 11 janar 2014 ishte mbajtur mbledhja e parë e përbashkët mes dy qeverive. E fundit, ajo e shtata, u mbajt më 26 nëntor të vitit të shkuar, në Elbasan. Në të u nënshkruan 13 marrëveshje.