Arbëri

Afro 2000 përfitues të marrëveshjes për sigurimet shoqërore mes Kosovës dhe Shqipërisë

Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë ka miratuar marrëveshjen që parashikon bashkimin e periudhave të sigurimit për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, të vlefshme për pensionet e pleqërisë. Marrëveshja për sigurime shoqërore konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të personave të punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënësve

Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë ka miratuar marrëveshjen që parashikon bashkimin e periudhave të sigurimit për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, të vlefshme për pensionet e pleqërisë. Ky projektligj synon ratifikimin nga Kuvendi të marrëveshjes mes dy vendeve për sigurimet shoqërore.

Marrëveshja u nënshkrua nga të dyja palët në Elbasan, në datën 26.11.2021 është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave.

“Kjo marrëveshje do të krijojë mundësinë e përfitimit të pensioneve nga shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, si dhe për shtetasit kosovarë, të cilët vijnë për të punuar në Shqipëri. Gjatë diskutimeve në komision, drejtori i Institutit të sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, Astrit Hado, bëri me dije se nga kjo marrëveshje parashikohet të përfitojnë rreth 2000 qytetarë nga Kosova e Shqipëria. Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për sigurime shoqërore konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të personave të punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënësve”.

Objekt i kësaj marrëveshjeje është legjislacioni për përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë konkretisht pensionin e pleqërisë, pensionin familjar dhe pensionin e invaliditetit.

“Palët kanë rënë dakord të japin përfitime në para për barrë-lindje për personat e punësuar dhe personat e vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit, për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar dhe të vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit”.

Në pjesën e parë të marrëveshjes - të gjithë personat e përfshirë në këtë marrëveshje do të trajtohen në mënyrë të barabartë prej palëve kontraktuese në lidhje me të drejtat dhe detyrimet për plotësimin e kushteve dhe pagesën e përfitimeve, që rrjedhin drejtpërdrejt prej legjislacionit të palëve kontraktuese ose sipas dispozitave të kësaj marrëveshjeje.

“Në pjesën e dytë përcaktohen dispozita në lidhje me legjislacionin e zbatueshëm të të dyja vendeve dhe rregullime të veçanta për trajtimin e personave të punësuar dhe të vetëpunësuar, të nëpunësve të shërbimit civil, anëtarëve të misioneve diplomatike dhe zyrave konsullore dhe punëtorëve të dërguar nga punëdhënësi për të punuar për llogari të tij në vendin tjetër, si dhe përjashtimet. Në pjesën e tretë, përcaktohen qartë dispozitat e veçanta për Republikën e Shqipërisë dhe për Republikën e Kosovës. Në pjesën e tretë, kapitulli I, përcaktohen dispozitat e veçanta për barrëlindjen, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale lidhur me përfitimet në Republikën e Shqipërisë, të cilat janë: Institucioni kompetent shqiptar jep përfitimet, pas plotësimit të kushteve ligjore për barrëlindjen; Do të merren parasysh aksidentet në punë, si dhe sëmundjet profesionale, aksidentet në punë, të cilat kanë ndodhur në të kaluarën dhe sëmundjet profesionale”.

Kur periudhat e sigurimit të realizuara në të dyja shtetet mbivendosen, Shqipëria do të marrë parasysh vetëm periudhat e sigurimit të realizuara në territorin e saj.

Projektligji është iniciuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Grupi negociator për hartimin e marrëveshjes dypalëshe të sigurimit shoqëror ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës është drejtuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe me asistencën e përfaqësuesve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.