Vetëm në muajin gusht numri i hyrjeve të qytetarëve nga Kosova në Shqipëri ka mbërritur në afro 800 mijë, duke shënuar rritje prej 123 për qind krahasuar me një vit më parë
Shirat e vjeshtës dhe ulja e temperaturave duket se i ka dhënë fund turizmit “të plazhit” në Shqipëri. Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) ka bërë publike të enjten shifrat e të huajve që kanë vizituar Shqipërinë për muajin gusht, por edhe për tetëmujorin e parë të këtij viti.
Në bazë të shifrave të INSTAT-it, Kosova ka shënuar rekorde për sa u përket hyrjeve në Shqipëri me 2 milionë e 177 mijë e 412 shtetas për periudhën janar-gusht 2021, duke mbajtur 50% të numrit të përgjithshëm të shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë në këtë periudhë dhe duke shënuar një rritje prej 153.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku Shqipërinë e vizituan 859.925 shtetas të Kosovës.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë në periudhën janar-gusht 2021 është 4.384.072 shtetas. Edhe për gushtin Kosova mban më shumë se 50% të numrit të të huajve që kanë vizituar Shqipërinë për këtë muaj. Sipas shifrave të INSTAT-it, numri i shtetasve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë për muajin gusht të këtij viti është 795.880 shtetas, krahasuar me 356.327 shtetas që kanë vizituar Shqipërinë në gusht të vitit 2020, duke shënuar një rritje prej 123%.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për gushtin e këtij viti është 1.537.191 shtetas. Rritja për periudhën janar-gusht e vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 që deri tani mban rekordin si viti më i mirë për turizmin në Shqipëri, u rrit në masën 18.4%.
Me gjithë numrin rekord të shtetasve nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri, një pjesë e tyre mund ta kenë përdorur si transit këtë vend, pasi destinacioni përfundimtar mund të ketë qenë plazhi i Ulqinit, apo plazhet e tjera të Malit të Zi. Mbase edhe për shkak se në Shqipëri ka pasur rritje të ndjeshme të çmimeve.
Tur-operatorët dhe vetë strukturat akomoduese në Shqipëri kanë raportuar rritje çmimesh mes 10-40% nga jugu në veri për muajin korrik, ndërsa për muajin gusht çmimet kanë njohur rritje të reja.
“Nuk kanë munguar turistë të huaj këtë vit, të cilët kanë qenë kryesisht nga Bjellorusia, Polonia e Armenia. Ndërsa shqiptarët e Kosovës këtë vit kanë zgjedhur edhe Malin e Zi”, deklaroi Sokol Dodbiba, drejtuesi i agjencisë turistike Union Travel në Tiranë.
Ndonëse turizmi në Shqipëri u gjallërua në këtë tetëmujor, sërish ai mbetet nën nivelet e parakrizës. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, që mat bilancin e udhëtimeve (shpenzimet që bëjnë të huajt në Shqipëri dhe ato që bëjnë shqiptarët jashtë), shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në 687 milionë euro në 6-mujorin e parë të vitit, me një rënie prej 20%, ose 167 milionë euro më pak, në krahasim me janar-qershor 2019, që deri tani mban rekordin si viti më i mirë deri tani për turizmin në Shqipëri.
Në 8 mujorin e këtij viti, daljet e shtetasve shqiptarë ishin rreth 36% më të ulëta se e njëjta periudhë e 2019-s, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 47.5 %. Si rrjedhojë, edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë Shqipërisë kanë shënuar një tkurrje të ndjeshme. Si rrjedhojë e hyrjeve më të larta të të huajve, në raport me daljet e shqiptarëve, bilanci neto i udhëtimeve, që nënkupton valutën që mbetet në Shqipëri, u përmirësua ndjeshëm në gati 290 milionë euro, që është rezultati më i mirë historik qëkur raportohen të dhënat në 2008-n.