Arbëri

AFP: “Katolikët e fshehur” në Kosovë u pagëzuan teksa përkujtohej Papa Françesku

Kisha Llapushnik

Rreth kohës kur Vatikani njoftoi për vdekjen e Papa Françeskut të hënën, në një kishë në Kosovë dhjetëra myslimanë po merrnin pjesë në një ceremoni jo të zakontë. Ata po konvertoheshin në katolikë. Kështu ka shkruar agjencia e lajmeve “Agence France-Presse” të martën, 22 prill.

Në ceremoni po konvertoheshin ata që sipas shkrimit quhen edhe si “katolikë të fshehur” apo “laramanët”, të cilët “po zgjidhnin të kthehen haptas në besimin e të parëve të tyre, të konvertuar shekuj më parë nën sundimin osman”.

“Ju pagëzoj në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Amen”, ka thirrur prifti At Fran Kolaj në ceremoninë në të cilën mirëpriti 38 katolikë të rinj, nga mosha 7 deri në 55 vjeç. “Mirë se vini në Kishë”.

Artikulli i publikuar të martën jep edhe të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë. Në mbi 1.6 milionë banorë, në Kosovë janë deklaruar si myslimanë 93.5 për qind, ndërsa si katolikë më pak se dy për qind.

Edhe pse s’ka të dhëna zyrtare, sipas Kolajt janë më shumë se 3000 qytetarë që janë konvertuar në katolikë në Kishën e tij “Shën Abrahami” në Llapushnik, që nga pavarësia e Kosovës më 2008. “Ata i bashkohen Kishës me vullnetin e tyre të lirë. Është 100 për qind zgjedhja e tyre”, ka thënë prifti.

Të hënën, sipas shkrimit, kisha kishte rreth 500 persona kur u mor vesh lajmi për vdekjen e Papës. Por u vendos që të vazhdohej me ceremoninë e pagëzimit. “Edhe papa do ta bënte të njëjtën”, citohet të ketë thënë një person.

Në artikull po ashtu thuhet se konvertimet nuk kanë nxitur reagime nga komuniteti mysliman në Kosovë “shtet që krenohet me tolerancën fetare dhe ku përkatësia etnike ka përparësi mbi besimin”.