Ndërtimi i kishës në Batajnicë ka ngjallur reagime. Një i mbijetuar i masakrës e ka quajtur vazhdim të mentalitetit të Millosheviqit.
49 anëtarë të familjes Berisha u vranë në Suharekë më 1999.
E mbetjet mortore të 24 anëtarëve të kësaj familjeje u zhvarrosën në vitin 2001, në Batajnicë, një ndër varrezat masive më të mëdha në Serbi të shqiptarëve të Kosovës, raporton KOHA.
E shpresat për gjetjen e pjesës tjetër të familjes, për Gramoz Berishën janë duke u shuar dita-ditës.
Gramozi ka edhe motrën në mesin e familjarëve të pagjetur.
Në luftën e fundit në Kosovë, rreth 700 persona ishin vrarë dhe ishin varrosur në një varrezë masive në Batajnicë të Beogradit, e cila më parë ishte bazë ushtarake.
Por afër këtij lokaliteti po ndërtohet një kishë ortodokse serbe, çka ka ngjallur pakënaqësi të mëdha në Kosovë.
Nga komisioni qeveritar për persona të zhdukur kanë thënë që kanë kërkuar që ky lokalitet të trajtohet si i papërfunduar.
Kushtrim Gara nga ky komision ka thënë se nuk është hera e parë që serbët tentojnë të fshehin gjurmët e krimeve të tyre, duke shtuar se ndërtimi i kishës ortodokse serbe nuk është fare i nevojshëm aty dhe se në vend të saj do të duhej të ishte një memorial siç edhe kanë kërkuar më parë.
Ndërtim të një memoriali në atë lokalitet kanë kërkuar edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë e organizata të tjera të shoqërisë civile.
Rreth 1640 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.