Aeroporti i Prishtinës dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu kanë dhënë arsye të ndryshme për anulim të fluturimeve.
Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, ka thënë se dhjetëra fluturime janë anuluar si pasojë e mjegullës, pasi sipas saj dukshmëria ka qenë nën 50 metra.
Ajo ka thënë se që nga dej janë anuluar 42 fluturime.
“38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”, ka theksuar Gara për KOHËN.
Ndryshe nga kjo ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu ka thënë se janë anuluar 12 fluturime dhe se kjo ka ndodhur për shkak se pilotët e tyre nuk kanë qenë të certifikuar për sistemin që mundëson aterrim edhe në mjegull.
“Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash. Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar”, ka shkruar Aliu në rrjetin social Facebook.