Arbëri

Aeroporti “Adem Jashari” pret fundvitin me rekord, 2.2 milionë udhëtarë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” së fundi ka arritur shifrën rekorde duke shërbyer udhëtarin e 2 miliontë të këtij viti. Por deri në fund të këtij viti do të jenë afër 2.2 milionë pasagjerë që do të shfrytëzojnë Aeroportin e Prishtinës.

Diton Hyseni, menaxher i planifikimit të fluturimeve në ANP, tha se ANP-ja është bërë gati për sezonin e dimrit dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë problem.

“I kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe deri më tani, nuk ka pasur asnjë problem me fluturime. Ne vetëm në një pjesë të nëntorit kemi pasur pak mjegull. Sot të gjithë pasagjerët po shkojnë e vijnë me kohë”, tha Hyseni sot në RTK.

Sipas tij për festat e fund vitit, vjen diaspora e Kosovës, por edhe qytetarët e Kosovës po shkojnë në vende të ndryshme.

Sipas tij presin që deri në fund të këtij të jenë afër 2.2 milionë pasagjerë në ANP. Diton Hyseni, menaxher i planifikimit të fluturimeve në ANP, bëri me dije se do të ketë risi edhe me shtim të fluturimeve.

‘Do të ketë destinacione të reja me Wizzair, po ashtu ka interesim edhe të kompanive të ndryshme për të fluturuar nga ANP për vende të ndryshme, ne synojmë që të mbështesim kompanitë ajrore për destinacione të reja. Ne kemi qëllim që pasagjerët tanë të kenë mundësi të zgjedhin”, deklaroi ai.

Sipas tij ANP-ja ka mundësi të presë deri në 4.5 milionë pasagjerë brenda një viti. Ai ka folur edhe për lirinë e lëvizjes së njerëzve. Ai tha se pas investimeve që do të bëhen do të ketë edhe rritje të numrit të pasagjerëve që do të shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari’.